Telegrafi

Është duke kaluar formë të jashtëzakonshme, Rashani shënon gol fantastik dhe asiston në sytë e djalit të tij Lionit

Elbasan Rashani ka vazhduar shkëlqimin në kampionatin norvegjez me skuadrën e tij Odds BK.

Sulmuesi i Kosovës ka gjetur golin e parë në kampionat, në fitoren e thellë të Odds BK 6-1 ndaj Mjondalen.

Ka qenë një ndeshje për tu mbajtur mend për Rashanin, pasi fillimisht asistoi për mrekulli në minutën e 14-të për Bakengën që shënoi për 2-1.

E 17 minuta më vonë, një harkim fantastik në zonë nga Rashani bëri që mbrojtësi kundërshtar Solberg të luaj me dorë në zonë dhe Odds fitoi penallti të cilën në gol e shëndrroi Ruud.

Rashani shënoi golin e parë këtë kampionat në minutën e 67-të të ndeshjes.

Pasi u shërbye mirë nga Hoff, vushtrriasi shënoi një gol spektakolar për ta ngritur epërsinë e Odds në 5-1.

E këtë paraqitje të shkëlqyer të tij e pa nga afër djali i Elbasanit, Lioni.

Elba dhe bashkëshortja e tij Agnesa ka shtatë muaj që janë bërë prindër të Lionit, me vogëlushin që në çdo ndeshje që Odds luan në shtëpi ai është i pranishëm në stadium.

E në një prononcim për Telegrafin, Rashani tregon se golin ndaj Mjondalen ia ka kushtuar pikërisht Lionit të vogël.

“Jam shumë i lumtur me paraqitjen time dhe natyrisht golin e shënuar që shkon për Lionin”.

Elbasani me djalin e tij Lionin pas ndeshjes Odds – Mjondalen 6-1

“Djali im është shtatë muajsh dhe atë e kam tani tifozin numër një timin”, deklaroi Rashani për Telegrafin.

Elba ka treguar edhe emocionet që ka në fushë kur e di që nga shkallët e stadiumit atë po e sheh djali i tij.

“Bashkëshortja ime Agnesa e sjell atë në çdo ndeshje kur luajmë në shtëpi në stadium dhe për mua është një emocion i madh që të luaj para birit tim Lionit”, tha Rashani.

Tutje reprezentuesi kosovar ka thënë se çdo gol të tij shkon për djalin Lionin, bashkëshorten Agnesën dhe familjen e tij.

“Çdo gol apo çdo sukses timin ia dedikoj Lionit, Agnesës dhe familjes time. Është ndjenjë e papërshkrueshme të shënoj para syve të djalit tim”, ka deklaruar Rashani.

Rashani është pjesë e rregullt e Përfaqësueses së Kosovës, ku ka qenë në disa ndeshje vendimtar edhe për Dardanët.

Elba shënoi golin e fitores për Kosovën 2-3 ndaj Bullgarisë, ndërsa kishte dhënë një asistim fantastik për Muriqin në triumfin e Dardanëve 2-1 ndaj Çekisë.

Gjithsesi lojtari ende është në pritje të lejes nga klubi i tij nëse do t’i bashkohet Kosovës për dy ndeshjet e shtatorit, pasi emri i tij si gjithmonë figuron në listën e trajnerit Bernard Challandes. /Telegrafi/