Telegrafi

“Është dhjetë herë më i mirë se sa flitet për të” – Kovacic zbërthen atë që bën Guardiola

Mateo Kovacic ka luajtur me klube si Real Madrid, Inter dhe Chelsea, teksa prej verës së vitit të kaluar është pjesë e Manchester Cityt, ku ka fatin të punojë me Pep Guardiolan, të cilin e konsideron si më të mirin në rolin e vet.

Kroati është gjendur mirë në skuadrën e Man Cityt, ku po luftojnë fuqishëm edhe këtë vit për Ligën e Kampionëve, Ligën Premier dhe FA Cup.

“Jam i lumtur që pata mundësinë të zgjedh Manchester Cityn për fazën më të rëndësishme të karrierës sime. Nuk dyshova për asnjë moment. Kur mbërrita te Man City kuptova se askush nuk ngopet me atë që ka fituar, asnjë nuk relaksohet dhe nuk kënaqet. Madje as me tripletën historike që fituam vjet”, ka thënë Kovacic.

Ai është ndalur te Pep Guardiola, duke thënë se është dhjetë herë më i mirë se sa flitet për të.

“Guardiola? Kam përjetuar personalisht gjithçka që kisha dëgjuar më parë për të. Madje është 10 herë më i mirë krahasuar me çfarë flitet për Pepin”.

Lexo po ashtu “Një nivel tjetër, trajneri më i mirë në botë”, Kovacic i magjepsur nga Guardiola

“I kanë dalë të gjitha fjalët që më tha kur u bëra pjesë e këtij klubi. Jam i impresionuar, mendoj se thjeshtësia e shpjegimeve që të jep është shkaku kryesor i sukseseve të tij.

“Guardiola është i përpiktë, ai gjithmonë ka një plan B ose C për të zbatuar nëse plani A nuk funksionon”.

“Ky është shkaku pse ne u përshtatemi shpejt situatave, sepse e kemi gjithmonë një zgjidhje për momentet delikate”, ka thënë mesfushori kroat. /Telegrafi/