Telegrafi

Escobar dhe Hovenier priten në takim nga kryetari i Pejës

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, janë takuar këtë të enjte kanë qëndruar në Pejë ku janë pritur në takim nga kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri.

Takimin me zyrtarët e lartë amerikanë e ka konfirmuar në një prononcim për Telegrafin kryetari Muhaxheri, por nuk ka pranuar të japë më shumë detaje.

Lexo po ashtu Escobar viziton Manastirin e Deçanit, një ditë pas vendimit për pronat

“Po, mund të konfirmoj se kam pasur sot takim me emisarin Escobar dhe ambasadorin Hovenier, por për detaje do të dalim me komunikatë shumë shpejt”, ka thënë Muhaxheri.

Escobar i shoqëruar nga Hovenier, gjatë ditës kanë qëndruar për vizitë edhe në Manastirin e Deçanit. Kjo vizitë vetëm një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi pronat e këtij Manastiri.

Emisari amerikan gjatë së enjtes do të takohet edhe me Kurtin. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është bërë e ditur se takimi do të zhvillohet në orën 15:30. /Telegrafi/