Feronikeli dhe Prishtina kanë para tyre edhe 90 minuta për të përcaktuar kampionin e ri të Kosovës në futboll.
Nikli do të jetë nikoqir i skuadrës prishtinase më 19 maj (e diele), me fillim prej orës 16:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Drenicakët kanë bërë njoftimin e parë zyrtar rreth nxjerrjes së biletave në shitje, ku ndër të tjerash parashihet që fëmijët nën moshën 15-vjeçare nuk do të lejohen në fushë.
I kontaktuar nga Telegrafi, Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, ka pohuar se ky vendim i zigjelbërve është absurd dhe nuk bazohet në asnjë rregullore.
“Askund nuk shkruan se i ndalohet fëmijëve pjesëmarrësja në fushë. Për çka luhet futbolli, për tifozë të grupmoshave të ndryshme”, tha fillimisht ai.
Ai më tutje ka deklaruar se skuadra vendase është e obliguar që një pjesë të tribunave t’iu ndajë tifozëve mysafirëve ani pse ata kanë paralajmëruar se një gjë e tillë mund të mos ndodh shkaku i disa punimeve që po kryhen në stadium.
“Nikli ka paralajmëruar federatën se një pjesë e stadiumit është duke u ndërtuar. Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të jenë të pranishëm tifozët e ekipit kundërshtar në shkallët e stadiumit, por edhe zyrtarët e mysafirët prishtinas. Feronikeli ka krijuar një traditë të mirë të mikpritjes së kundërshtarëve, nuk besoj se do të ndodh një gjë e tillë”, tha Salihu për Telegrafin.
Theksojmë se sipas rregullave të FFK-së dhe UEFA-së, skuadra vendase është e detyruar që pesë për qind të biletave t’ua shes ekipit kundërshtar dhe për tifozët e tyre të krijoj siguri të plot.
Një gjë e tillë mund të shfuqizohet vetëm me një vendim të FFK-së apo pas një marrëveshje mes dy klubeve.
Ndryshe, Feronikeli është lider i ligës elitare të Kosovës me 77 pikë, përkatësisht ka dy më tepër se vendi i dytë që e zotëron Prishtina. /Telegrafi/