Christian Eriksen nuk ka frikë se mund t’i humbë ndjenjat sërish nëse i rikthehet fushës së futbollit.
Mesfushori danez pësoi arrest kardiak dhe zemra e tij ndaloi për pesë minuta gjatë ndeshjes së parë të përfaqësueses së tij në ‘Euro 2020’ kundër Finlandës në qershorin e kaluar.
Mirëpo, ai u rikthye në jetë falë veprimit të shpejtë të bashkëlojtarit Simon Kjaer dhe stafit mjekësor të skuadrës.
Më pas, atij i është vendosur një ICD (defibrilator të implantuar) për të siguruar ritme të rregullta të zemrës, ndërsa me këtë pajisje e ka të ndaluar të luajë në Serie A, ashtu që Interi ia ka ndërprerë kontratën.
Gjatë një bisede me kanalin televiziv danez, DR 1, Eriksen ka thënë se nuk ka më frikë se mund të rrëzohet sërish në fushë.
“Aspak (nuk kam frikë). As frikën më të vogël. Në fillim, isha i kujdesshëm. ‘Sa mund të tolerojë zemra ime tash?’”.
“Doja ta testoja. Por, jam testuar dhe monitoruar aq sa është e mundur dhe jam në rregull. Jo, nuk kam frikë se mund të ndodhë sërish”, ka deklaruar Eriksen. /Telegrafi/