Turqia dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian. Këtë e bëri të qartë presidenti turk, Erdogan në një videokonferencë me kancelaren Angela Merkel.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u shpreh qartë në një videokonferencë të zhvilluar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, se Turqia dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve me BE-në, kanë bërë të agjencitë e lajmeve.
“Turqia dëshiron të hapë një faqe të re në marrëdhëniet me BE”, citon agjencia gjerman e lajmeve DPA, një njoftim të direktoratit turk të komunikimit.
Përtej kësaj, Erdogan falënderoi Merkelin për përpjekjet e saj për marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE dhe lëvdoi zhvillimet pozitive në samitin e fundit të BE.
Dalje nga “rrethi vicioz”
Erdogan shprehu shpresën edhe në një telefonatë me kreun e Këshillit të BE-së, Charles Michel, se BE do të marrë një qëndrim konstruktiv kundrejt vendit të tij dhe shpreson për bisedime të reja me BE “mbi bazën e interesave të përbashkëta”.
“Marrëdhëniet duhet të lirohen nga ‘rrethi vicioz’ aktual”, ka thënë Erdogan.
Megjithë konfrontimin, krerët e shteteve dhe qeverive të BE në samitin e tyre në Bruksel më 11 dhjetor hoqën dorë nga sanksionet e ashpra për Turqinë dhe hapën rrugën vetëm për masa të reja ndëshkuese ndaj personave dhe sipërmarrjeve të caktuara. Sanksionet do të godasin pjesëmarrës të tjerë në kërkimet e kontestuara turke për gaz në Egje.
BE nuk vendosi sanksione kundër degëve të caktuara të ekonomisë apo embargo të armëve. Megjithatë vendosja e sanksioneve më të ashpra nuk është hequr plotësisht nga axhenda.
Turqia kritikohet sidomos për kërkimet e saj për gaz në hapësirat detare para Qipros dhe para ishujve grekë. Po ashtu të papranueshme konsiderohen provokimet në konfliktin për ndarjen e Qipros dhe shkeljet e embargos së armëve kundër Libisë si edhe përzierja në konfliktin e Nagorni Karabakut. /Deutsche Welle/