Telegrafi

Erdogan: Shansi për paqe në Gaza është humbur, shkatërrimi i Hamasit nuk është skenar real

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se shansi për paqe në Rripin e Gazës pas armëpushimit humanitar është humbur për momentin, për shkak të qasjes pa kompromis të Izraelit.

“Ne gjithmonë kemi theksuar se jemi për një armëpushim të përhershëm, jo ​​për një pauzë humanitare. Kishte një mundësi për paqe, por për fat të keq ne e kemi humbur atë mundësi tani për tani për shkak të qasjes pa kompromis të Izraelit”, tha Erdogan.

Armëpushimi në Rripin e Gazës skadoi të premten, pasi ndërmjetësit nuk arritën të negociojnë një tjetër zgjatje të armëpushimit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

Lexo po ashtu Hamasi publikon pamjet e para nga luftimet në Gazë, pas skadimit të marrëveshjes për armëpushim

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Katari ishte në fuqi për shtatë ditë, me Izraelin dhe Hamasin që fajësuan njëri-tjetrin për kolapsimin e kësaj marrëveshje, transmeton Telegrafi.

Presidenti turk u tha gjithashtu gazetarëve gjatë rrugës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, se ai nuk po e humb shpresën për paqe të qëndrueshme në Gaza.

Sipas tij, Hamasi nuk mund të përjashtohet nga një zgjidhje e mundshme e konfliktit izraelito-palestinez.

“Duhet të fokusohemi në një zgjidhje me dy shtete. Eliminimi i Hamasit ose shkatërrimi i tij nuk është një skenar realist”, tha Erdogan. /Telegrafi/