Presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan, ka theksuar se nuk dëshirojnë tensione me Greqinë.
“Tashmë ne kemi nevojë për paqe, sepse paqja jonë që kemi me ju nuk përngjason me paqen e asnjë vendi”, tha presidenti turk.
Presidenti Erdogan i është përgjigjur pyetjeve për çështjet në rendin e ditës dhe vlerësimet për raportin e BE-së në lidhje me Turqinë në një program të publikuar në kanalin NTV, përcjell AA.
“Ky raport për ne nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe vlefshmërie. Një situatë të ngjashme kemi përjetuar edhe në Varna ku na kërkuan që t’i dorëzojmë ushtarët grekë. Për këtë ne u shprehëm se ‘nëse kërkoni një gjë të tillë nga ne, atëherë fillimisht janë anëtarët e FETO-së autorë të tentativës për grusht shteti që duhet të na i jepni. Nëse na dorëzohen ato mund ta diskutojmë në tryezë, sepse ka një shkelje të kufirit. Në të shkuarën kanë dënuar një ushtar turk me 6 muaj burg për shkelje të kufirit. Pra edhe këtu kemi një situatë të ngjashme. Këtë e kemi përcaktuar kështu në Varna, na dorëzoni puçistët, që edhe ne të hedhim hapat e duhura për këtë. Por Greqia ndodhet në një pozicion shumë ndryshe, dhe ne nuk mund t’ia shpjegojmë këtë Greqisë”, është shprehur Erdogan.
Pyetjes se Greqia shkakton tensione për çështjen e ishujve në Egje dhe cili është qëllimi i Greqisë, presidenti Erdoğan i është përgjigjur se “Ne Greqinë e shohim si një fqinj dhe dëshirojmë që t’i tejkalojmë këto pavarësisht disa problemeve. Të ulemi në tryezë, t’i vendosim mënjanë këto”.
“Kryeministri i ri, dinamik, Tsipras, shpreh dhe ka dëshirën që ‘të hedhim një hap të ri’, ku në vizitën time të fundit kam vërejtur se edhe presidenti ndodhet në të njëjtën situatë. Të distancohemi nga grindjet ‘jo ti ke marrë më shumë? unë kam dhënë më shumë? Mos bërja e kësaj na sjell probleme të tjera neve, të cilat fatkeqësisht kanë kosto të rënda. Ne kemi dëshirën që kësaj t’i vendosim pikën”, tha presidenti i Turqisë.
Në lidhje me të arratisurin Adil Öksüz, të ashtuquajturin “përgjegjësi i Komandës të forcave ajrore” të organizatës terroriste FETO dhe një prej organizatorëve kyç në tentativën për grusht shteti, presidenti Erdoğan u shpreh se “Jemi në ndjekje, po e gjurmojmë. Janë formuar disa lidhje. Nëse janë të drejta informacionet që kemi marrë shpresojmë se do të realizojmë edhe hapin që kemi hedhur në lidhje me të”.
Gjithashtu Erdogan ka theksuar se në luftën kundër terrorizmit të kryer në 3 vitet e fundit janë neutralizuar 16 mijë terroristë brenda vendit dhe në veri të Irakut kundër YPG dhe PKK-së. Ai ka shtuar se ka arritur në 4.254 shifra e fundit e terroristëve të neutralizuar gjatë operacionit “Dega e Ullirit” i cili nisi më 20 janar në Afrin të Sirisë. /Telegrafi/