Telegrafi

Erdogan kritikon rëndë SHBA-në dhe Evropën pasi sipas tij nuk po bëjnë sa duhet për arritjen e një armëpushimi në Gazë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se SHBA-ja dhe vendet evropiane nuk po bëjnë sa duhet për ta shtyrë Izraelin drejt pranimit të një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë.

Bëhet e ditur se Turqia ka dënuar sulmet izraelite në Gazë dhe ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Gjithashtu, ajo ka ndaluar tregtinë me Izraelin pasi ka vendosur t’i bashkohet nismës së Afrikës së Jugut për ta akuzuar atë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ).

Sipas Erdoganit, Hamasi ka pranuar propozimin për armëpushim nga Katari dhe Egjipti, por qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk dëshiron që lufta të përfundojë, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

“Përgjigja e Netanyahut ishte që të sulmonte njerëzit e pafajshëm në Rafah. Është bërë e qartë se kush është në anën e paqes dhe dialogut e kush dëshiron të derdhet më shumë gjak”, tha Erdogan.

Lexo po ashtu Erdogan akuzon rëndë kryeministrin izraelit: Metodat gjenocidale të Netanyahut do ta bënin xheloz Hitlerin

Ndryshe, shefi turk i inteligjencës, Ibrahim Kalin, së fundmi është takuar me udhëheqësit e Hamasit në Doha për të diskutuar për një armëpushim dhe ndihmë humanitare në Gazë.

Ndërkohë, marrëdhëniet midis Izraelit dhe aleatëve të tij janë të tensionuara shkaku i sulmit të planifikuar në Rafah.

Siç raportohet, Ankaraja ka mirëpritur mbështetjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për anëtarësimin e Palestinës në OKB.

Presidenti turk u ka bërë thirrje vendeve që nuk e njohin shtetin palestinez, ta bëjnë atë pas votimit. /Telegrafi/