Site icon Telegrafi

Erdogan: Krimea duhet t’i kthehet Ukrainës

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka përsëritur angazhimin e Ankarasë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

“Mbështetja jonë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës është e palëkundur”, ka thënë Erdogan të mërkurën në një video-mesazh dërguar Samitit të Katërt të Liderëve të Platformës së Krimesë.

“Kthimi i Krimesë në Ukrainë është një kërkesë e ligjit ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë më tej Erdogan.

Ai nënvizoi qëndrimin e Turqisë ndaj Krimesë, duke theksuar se kthimi i saj në Ukrainë përputhet me standardet ligjore ndërkombëtare.

Erdogan shprehu gjithashtu besim në masat që po merren për të mbështetur turqit tatarë të Krimesë, duke thënë: “Unë besoj se do të vazhdojnë të ndërmerren hapa shtesë për të forcuar të drejtat e turqve tatarë të Krimesë në periudhën e ardhshme”.

Erdogan përcolli dëshirën e Ankarasë për t’i dhënë fund konfliktit të Ukrainës me Rusinë, duke thënë: “Dëshira jonë e sinqertë është që lufta të përfundojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme të bazuar në integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.

Ndryshe, forcat ruse pushtuan gadishullin e Krimesë në shkurt 2014, me presidentin rus Vladimir Putin që e ndau zyrtarisht rajonin në dy subjekte të veçanta federale të Federatës Ruse.

Turqia dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cilësojnë aneksimin rus si të paligjshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version