Telegrafi

Enriques mund të mos i vazhdohet kontrata

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, mori gjithë përgjegjësinë pas demolimit të skuadrës së tij në duelin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve në Paris.

“Unë jam i vetmi përgjegjës”, i tha gazetarit Jordi Grau të kanalit katalunas TV3, pas humbjes më të rëndë që nga angazhimi i tij te Blaugranët.

Tensionet janë ngritur shumë te ekipi i Barcës pas humbjes prej 4-0 nga Paris Saint-Germaini në Parc des Princes.

Enrique ka kontratë deri në fund të sezonit, ndërsa deri më tani i ka lënë anash bisedimet për vazhdimin kontratës.

Mirëpo, gjasat janë të mëdha që ai të largohet pas sezonit të tretë në Camp Nou, duke qenë se Barcelona vështirë se mund ta pranojë një eliminim kaq të hershëm nga Liga e Kampionëve.

Në ndeshjen ndaj PSG-së, lojtarët ishin të humbur në fushë, ndërsa trajneri vendosi që sërish ta linte në bankën rezervë Ivan Rakiticin. Shumëkush mendon se kjo ishte një prej arsyeve kryesore të dështimit.

Transferët e rinj, Andre Gomes, Lucas Digne dhe Paco Alcacer, nuk kanë arritur të tregojnë formën e pritur këtë sezon, ashtu që edhe për ata fajësohet trajneri që nuk i ka përshtatur në lojën e skuadrës. /Telegrafi/