Kongresmeni amerikan, miku i Kosovës, Eliot Engel, ka reaguar ndaj deklaratës së Komisionerit të BE-së, Johannes Hahn, se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të shtyhet përsëri.
Përmes një postimi në Twitter, Engel ka thënë se është i zhgënjyer nga deklarata e Komisionerit Hahn, përcjell Telegrafi.
RM @RepEliotEngel: I’m disappointed by EU Commissioner Johannes Hahn saying visa liberalization for Kosovo will be delayed again. Kosovo has done everything the EU has asked. Denying visa liberalization now is a betrayal of promises the EU made. https://t.co/HlJg7SYWAD
— House Foreign Affairs Committee Democrats (@HFACDemocrats) December 4, 2018
“Kosova ka bërë gjithçka që BE ka kërkuar. Mohimi i liberalizimit të vizave tani është një tradhti e premtimeve që BE ka bërë”, ka shkruar Engel në Twitter.
Ndryshe, Komisioneri Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë një konference për shtyp në Prishtinë ka folur edhe rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në këtë drejtim ai ka thënë se e kupton padurimin e qytetarëve por edhe të politikanëve.
“Por më besoni se edhe unë jam nganjëherë i padurueshëm sa i përket proceseve vednimmarrëse në Union. Ne kemi bërë më të mirën e mundshme rreth kësaj çështje, dhe tani kërkoj nga ju që të keni durim edhe disa muaj që të marrim edhe pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare – këto janë rregullat e lojës në Bashkimin Evropian”, ka thënë tutje Hahn.
Ndërsa në pyetjen nëse një gjë e tillë do të ndodhë para vitit 2020, Hahn ka thënë: “Viti 2020 është datë realiste, ndoshta edhe më herët”. /Telegrafi/