Gjenerali amerikan Keith Kellogg, i emëruar si i dërguar për paqen në Ukrainë nga presidenti i zgjedhur Donald Trump, kritikoi vrasjen e fundit të gjeneral-lejtnant rus Igor Kirillov gjatë një interviste me Fox News më 18 dhjetor.
Kirillov dhe ndihmësi i tij u vranë më 17 dhjetor në Moskë nga një bombë e lidhur me një skuter, transmeton Telegrafi.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) mori përgjegjësinë, duke e quajtur atë një “kriminel lufte” i cili dyshohet se urdhëroi përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase.
Kellogg tha se incidenti ishte një shkelje e mundshme e rregullave të luftës, megjithatë, theksoi se ai nuk pengon negociatat e mundshme midis Ukrainës dhe Rusisë.
Ai pranoi se shënjestrimi i Kirillov mund të shihej si legjitim, duke pasur parasysh akuzat kundër tij. Megjithatë, ai paralajmëroi se vrasja e oficerëve ushtarakë në vendlindjet e tyre mund të “përshkallëzojë tensionet”.
“Kur vrisni admiralë ose gjeneralë në qytetin e tyre të lindjes, është sikur po e zgjeroni konfliktin. Dhe nuk mendoj se është një gjë e zgjuar për të bërë”, tha Kellogg.
Ai shtoi se përdorimi i supozuar i një mercenari në vrasjen e Kirillovit “nuk ishte aspak një ide e mirë”.
Forcat ruse të sigurisë kanë arrestuar dy të dyshuar, për vrasjen e një gjenerali të lartë të Kremlinit dhe ndihmësit të tij në Moskë.
Dy burime të cituara nga media ruse RBC treguan se hetuesit e konsiderojnë përfshirjen e Ukrainës si skenarin më të besueshëm. /Telegrafi/