Telegrafi

Emërimi i koordinatorëve, shpikje e Qeverisë për akomodimin e militantëve

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur sot, emëroi edhe dy koordinatorë në fusha të ndryshme.

Haradinaj ka emëruar Mendim Rugovën, djalin e ish-presidentit Ibrahim Rugova – koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit. Ndërkaq, nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hoti e ka emëruar koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.

Pas marrjes së këtij vendimi nga kryeministri Haradinaj, shpërthyen edhe reagimet e shumta nga analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët thonë se emërimi i koordinatorëve është i panevojshëm.

Analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se këto janë emërime plotësisht të panevojshme.

“Emërime plotësisht të panevojshme, akomodime të njerëzve për t’iu siguruar pagë dhe privilegje. Duket se Qeveria aktuale po shpik pozita për të rehatuar njerëz partiak”, ka thënë Mushkolaj.

Lexo po ashtu Pas zëvendësministrave, Qeveria Haradinaj rrit edhe numrin e koordinatorëve

Ai ka theksuar se dyshon se këta persona do të mund ta kryejnë punën që u është caktuar.

“Këta njerëz do të shpenzojnë paratë tona, por dyshoj se mund të bëjnë punën për të cilën emërohen”, u shpreh Mushkolaj.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Telegrafin se koalicioni qeverisës i cili përbëhet prej 22 subjekteve politike nuk kanë pasur një program të qartë zgjedhor.

Sipas Krasniqit, synimi i tyre i vetëm ka qenë pushteti dhe shfrytëzimi maksimale i të mirave për qëllime personale.

“Një prej mënyrave përmes të cilave plotësohen këto apetite është edhe emërimi i shumë ministrave, zëvendësministrave dhe tani koordinatorëve, si një gjetje e re e kësaj Qeverie për të dhënë paga të larta”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, emërimi i koordinatorëve po bëhet me qëllim të përmbushjes së ambicieve personale.

“Këto poste janë pothuajse pozita paralele të ministrave. Nuk kanë një përshkrim të qartë të detyrave dhe përgjegjësive dhe as nuk është dhënë ndonjë arsyetim për nevojën e emërimit të tyre. Një ministër me pesë zëvendës nuk ka nevojë edhe për një koordinator në fushën të cilën mbulon. Paralelisht me këto pozitat e larta, po vazhdon dhe punësimi i militantëve në administratën publike, emërtimet në bordet e agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike dhe shpërndarja e shumë beneficioneve për të shndërruar votuesit në klient”, u shpreh Krasniqi.

Ai shtoi se Qeveria Haradinaj më shumë ka pasur raste të skandaleve dhe të abuzimit me pushtetin sesa të sukseseve.

“Mënyra sesi po qeveriset vendi është sikurse që pas këtij mandati këtu nuk do të ketë Qeveri tjetër”, tha Krasniqi.

Qeveria Haradinaj deri më tani zyrtarisht ka të emëruar tre koordinatorë, Besnik Tahirin – koordinator nacional për Reforma Shtetërore, Mendim Rugovën – koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit dhe Rexhep Hotin – koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport. /Telegrafi/