Zarfet me fletëvotime të ardhura nga diaspora, nuk do të mund të numërohen njëherë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklaratë dhënë Telegrafit, ka thënë se së pari duhet të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve me fletëvotime pastaj të fillojë numërimi.
“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime. Vlerësimi ka për qëllim që ta dijmë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm. Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara. Në fund, vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, ka thënë ai.
Elezi ka theksuar se tri ditë mund të zgjas i gjithë procesi.
“Së paku dy ditë zgjasë procesi i vlerësimit ndërsa numërimi pastaj mund të bëhet brenda një ditë”, është shprehur ai.
Ndryshe Gjykata Supreme e ka pranuar ankesëne Lëviozjes Vetëvendosje për numërimin e fletëvotimeve nga diaspora, ankesë kjo e cila ishte hudhur poshtë nga PZAP./Telegrafi/