Telegrafi

E akuzoi Osmanin se ka negociuar largimin e sulmuesve në Banjskë, presidenca kërkon hetimin e Bedri Elezit për veprimtarinë e tij në dëm të Kosovës

Bedri Elezi, ekspert në fushën e sigurisë, ka bërë sot një deklaratë ku ka akuzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, duke thënë se ajo dyshohet se ka negociuar për lirimin e agjentëve të BIA-s në rastin Banjska.

Elezi këtë reagim e ka bërë në profilin e tij në Facebook, transmeton Telegrafi.

“Presidentja Vjosa Osmani, dyshohet se ka negociuar lejimin e largimit të anëtarëve të BIA-s në rastin Banjska. Daniela Vujiciq, dyshohej se ishte anëtare apo zyrtare e BIA-s, pk ashtu dyshohet se në Shkup ka pasur takime me zv.kryemninistrin Besnik Bislimi”, shkruan ai.

Tutje, ai ka përmendur edhe Mimoza Kusari-Lila.

“Mimoza Kusari – Lila dyshohet se ka pasur takime dhe biseda me anëtarin e BIA-s serbe Milan Radoiçiq. A do të kemi veprime ndaj këtyre personave për veprën e spiunazhit”, vijon postimi.

Por, ndaj këtyre deklaratave të Elezit ka reaguar Bekim Kupina, këshilltar i presidentes.

Kupina ka paralajmëruar padi ndaj Elezit, pasi sipas tij, deklarimet e tij janë shpifje.

“Presidentja Osmani nuk ka negociuar për lirim të agjentëve të BIA-s, ndaj kjo është gënjeshtër e pastër e individit Bedri Elezi, për ç’gjë Presidentja menjëherë do të përgatisë padi. Ky deklarim ipa vërtetë dhe skandaloz, përbën shpifje të rëndë”, thekson ai.

Mes tjerash, Kupina thotë se “deklarime të tilla, cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare. Shpifjeve të tilla, Presidentja do t’u përgjigjet nëpërmjet rrugës ligjore”.

“Presidentja u bënë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që urgjentisht të ndërmarrin masa, bazuar në raportet e shumta të institucioneve të sigurisë, të cilat dëshmojnë aktivitetin e vazhdueshëm të individit Bedri Elezi në dëm të sigurisë kombëtare”, pohon Kupina.

Ndryshe, në ditët e fundit, policia ka arrestuar dy persona nga Ferizaj, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe./Telegrafi/