Telegrafi

Eleni Foureira do të mbajë koncert në Tiranë

Eleni Foureira (Foto: Getty Images)

Eleni Foureira ka bërë të ditur se gjatë kësaj vere do të mbajë një koncert në kryeqytetin e Shqipërisë.

Këngëtarja shqiptare e ka publikuar listën me datat e koncerteve të saja për turneun veror, ndërsa një prej destinacioneve është edhe Tirana.

Në bazë të njoftimit, 31-vjeçarja do të mbajë një koncert në Tiranë më 25 korrik.

Eleni, e cila ka lindur në Fier të Shqipërisë, ishte një prej tre shqiptarëve që ishin pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit.

Në Festivalin Evropian të këngës, ajo e përfaqësoi Qipron me këngën “Fuego”, ndërsa ishte shumë pranë që ta fitonte garën.

Foureira (me 436 pikë) ishte konkurrente e drejtpërdrejtë për ta fituar festivalin, mirëpo mbeti prapa përfaqësueses së Izraelit, Netta, e cila triumfoi.

Eleni që si fëmijë u largua për në Greqi së bashku me familjen, vend i cili do t’i hapte dyert e suksesit, duke u shndërruar në një ndër këngëtaret më të mira të muzikës pop të atij vendi.

Megjithatë, ishte Qiproja vendi që e zgjodhi për ta përfaqësuar në Eurovision, ndërsa bërja e simbolit të shqiponjës me duar kishte nxitur reagime në Greqi. /Telegrafi/