Para katër ditësh (29 shtator), Kim Kardashian publikoi një selfie në Twitter, ku e ekspozoi unazën e saj të diamantit në vlerë prej katër milionë eurosh, ndërsa postimit ia bashkëngjiti edhe disa diamante në formë ‘emoji’.
Nuk shkoi shumë dhe mëngjesin e të hënës, hajnat hynë në apartamentin e saj në Paris dhe ia vodhën, së bashku me një kuti stolish, ndërsa vlera totale e stolive të vjedhura shkon deri në 11 milionë dollarë.
Ekspertët mendojnë se këto dy gjëra janë të lidhura. Një prej tyre, Christopher Hagon, e ka kritikuar marrëdhënien e 35-vjeçares me rrjetet sociale.
Ai thotë se Kim e ka bërë veten shënjestër të hajnave, pasi i dokumenton shumë aspekte të jetës së saj në rrjetet sociale, njofton Telegrafi.
“Nëse nxjerr vazhdimisht informacion, e vë emrin në syrin e publikut… Nxjerr detaje të pasurisë sate në publik, atëherë je duke i rritur gjasat për një sulm të mundshëm. Ky ishte një sulm i organizuar, i bazuar në informacion të ditur”, ka deklaruar Hagon.
Ekspertë të tjerë të sigurisë thonë se ekspozimi i tepruar i të dhënave të detajuara për jetën në Facebook, Twitter e Instagram, paraqet shkelje potenciale të sigurisë individuale. /Telegrafi/