Një ekspert në televizionin shtetëror rus ka vënë në pikëpyetje pretendimet e linjës zyrtare të Kremlinit se pushtimi i Ukrainës “po shkon sipas planit”.
Në programin “Pravo Znat” (E drejta për të ditur), gazetari dhe komentatori Maxim Yusin krahasoi qëllimet e deklaruara të presidentit Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës me situatën me të cilën përballet Rusia pothuajse 11 muaj më vonë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Putin tha se kishte dërguar forcat e tij në fqinjin e tij për të “çmilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën, qëllime, vërtetësia e të cilave u mohua nga Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar.
Rusia e ka portretizuar gjithashtu luftën si thelbësore për sigurinë e saj dhe për të frenuar cenimin e NATO-s në kufijtë e saj.
Dhe Yusin iu referua këtyre synimeve pikë për pikë, duke vënë në dukje se “ushtria ukrainase, sipas mendimit të shumë njerëzve, tani është më e gatshme për luftim se 10 muaj më parë”, pasi ka marrë “armë perëndimore që as nuk i kishin ëndërruar”.
“Është e qartë se nuk po funksionon ende çmilitarizimi”, citohet të ketë thënë ai gjatë programit, i cili transmetohet në kanalin TV Center që ka “zonën e katërt më të madhe” të mbulimit në Rusi.
All declared goals of the "special military operation" are achieved to the exact opposite – propagandist Maksim Yusin.
Are they beginning to suspect something? pic.twitter.com/FE25HjMQkQ
— Anton Gerashchenko (@Gerashchenko_en) January 16, 2023
Lidhur me “denazifikimin”, Yusin tha se komandantët e batalionit Azov, elementët e ekstremit të djathtë të të cilit Kremlini i ka shpallur vazhdimisht si shkak të drejtë për pushtimin e tij, nuk janë paraqitur në gjykatë pas kapjes së tyre në Mariupol.
“Ata u shkëmbyen dhe në përgjithësi popullariteti i ideve të tyre në Ukrainë është po aq i madh sa kurrë më parë”, ka vënë në pah Yusin.
Në shtator, më shumë se 200 shtetas ukrainas dhe të huaj u liruan nga robëria ruse, përfshirë luftëtarët që drejtuan mbrojtjen e fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol, pas një shkëmbimi të të burgosurve.
Siç shkruan më tej Newsweek, Yusin vuri në dukje gjithashtu se lufta nuk e kishte bërë Rusinë më të sigurt dhe me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, aleanca “do t’i afrohet shumë Shën Petersburgut”.
“Pra, a do të planifikohet vërtet gjithçka apo është koha të pranojmë se jo gjithçka është ashtu dhe ta korrigjojmë pak – dhe të paktën retorikën zyrtare?”, ka thënë ndër tjerash Yusin në videon që u postua të martën nga këshilltari ukrainas për çështjet e brendshme, Anton Gerashchenko. /Telegrafi/