Telegrafi

Eksperti i sigurisë: Zhivkoviq, marionetë e Vuçiqit ishte i përfshirë në vendosjen e barrikadave në veri gjatë 2012-ës

Bratislav Zhivkoviq, një komandant 42-vjeçar i çetnikëve, forcave paramilitare serbe, ishte pjesmarrës në fjalimin vjetor të presidentit rus, Vladimir Putin, për gjendjen e kombit.

Zhivkoviq kishte luftuar në krah të separatistëve pro-rusë në provincat Donetsk dhe Luhansk në Ukrainë në 2014 dhe 2015, si pjesë e organizatës së ekstremit të djathtë Unite Continentale.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se Zhivkoviq është marionetë e Aleksandar Vuçiqit.

Ai thekson se Zhivkoviq, karrierën e tij pro-ruse ekishte nisur gjatë vitit 2012, kur ishin vendosur barrikadat serbe në veri të Mitrovicës.

Lexo po ashtu Fjalimin e Putinit e ndoqi nga afër paramilitari serb Bratislav Zhivkoviq, që u ofronte bashkëkombësve të tij nga 200 euro që të luftojnë për rusët

“Çetniku serb Bratislav Zhivkoviq, një nga marionetat e Aleksandar Vuçiqit, i cili para 2-3 ditësh ishte i pranishëm në fjalimin e diktatorit rus Vladimir Putinit në Moskë, e ka nisur karrierën e tij pro-ruse në Kosovë, përkatësisht në barrikadat serbe të vitit 2012, në veri të Kosovës”, tha Musliu.

Në vitin 2018, Zhivkoviq u arrestua në Serbi nën dyshimin se organizoi pjesëmarrjen e serbëve në konfliktet e armatosura në Ukrainë, dhe u ofronte atyre 200 euro në muaj për këtë.

Zhivkoviq po hetohet nga Prokuroria e Ukrainës, për rolin e tij në sulmet ndaj forcave ukrainase në provincat e lartpërmendura të Ukrainës./Telegrafi/