Lionel Messit i është bërë e ditur se nuk duhet t’i fajësojë bashkëlojtarët te Barcelona për eliminimin nga Liga e Kampionëve prej Liverpoolit.
Skuadra katalunase ishte duke udhëhequr 3-0 nga ndeshja e parë gjysmëfinale në Camp Nou, mirëpo në ndeshjen e dytë, rezultati u përmbys në 4-0 në Anfiled, duke bërë që ata të eliminohen nga gara më e madhe për klube në Evropë.
Messi ka thënë në konferencë për media se Ernesto Valverde ka bërë një punë të shkëlqyer në këtë sezon dhe nuk duhet të fajësohet, pasi janë lojtarët që nuk e kanë përfunduar punën e tyre.
“Mendoj se trajneri ka bërë një punë të madhe në këtë sezon. Eliminimi nga Liverpooli nuk është faji i tij. Jemi ne që duhet të turpërohemi për atë ndeshje”, kishte thënë argjentinasi.
Mirëpo, portieri që ka luajtur në disa klube të Ligës Premier dhe tash është ekspert i futbollit në ESPN, Shaka Hislop, ia ka bërë me dije Messit se është pikërisht Valverde ai që duhet fajësuar dhe jo lojtarët.
“Messi nuk duhet t’i fajësojë bashkëlojtarët për eliminimin nga Liga e Kampionëve, pasi unë them se është trajneri”, ka thënë ish-portieri i Newcastle United e West Ham për ESPN.
“Shikoni ndeshjet tjera të Barcelonës, mund ta kuptoni se cilat zëvendësime do t’i bëjë Valverde. Janë lojtarët e njëjtë, nuk ka përdorur strategji tjera në ndeshje të mëdha”.
“Sa për mua, Valverde duhet ta bartë mbi supe një pjesë të fajit. Strategjia në ndeshjen ndaj Liverpoolit ishte e dështuar, ju nuk mund ta largoni Coutinhon dhe të fusni Semedon, pasi po mbroheni kështu kur jeni duke humbur”, ka shtuar më tej Hislop. /Telegrafi/