MASHT-i dhe SBASHK-u ende nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për kompensimin e orëve të humbura, ani pse është thënë se janë afër arritjes së një marrëveshje.
Këta të fundit kanë kërkuar nga deputetët që të marrin vendim që të ndryshojnë koeficientin e mësimdhënësve klasor, dhe ta barazojnë atë me mësimdhënësit lëndor, dhe që atëherë do të bëjnë apel tek të gjithë mësimdhënësit që ti mbajnë orët e humbura.
Rreth kësaj çështje janë deklaruar për Telegrafin, njohësit e arsimit në vend Dukagjin Popovci dhe Rinor Qehaja.
Popovci, tha që sa më shpejtë duhet të arrihet një marrëveshje mes SBASHK-ut dhe MASHT-it, dhe që të mos dëmtohen më shumë nxënësit.
“Asnjëherë më parë nuk ka qenë problem zëvendësimi i orëve të humbura në sistemin e arsimit. SBASHK-u, po ndërhynë në çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me menaxhimin e sistemit arsimor. Konsideroj që ky refuzim për t’i refuzuar orët jo vetëm që po i shkakton dëm nxënësve por po sjellë edhe një frymë jo të mirë në sistemin e arsimit. Një frymë të konflikteve dhe kontestimeve të vendimeve që nuk do të duhej të kontestoheshin”, ka thënë Popovci në një prononcim për Telegrafin.
Ai, tha që situatat e tilla nuk duhet të përsëriten më, sepse po krijohet imazh i keq i arsimit në Kosovë.
“Do të kishte qenë mirë që të arrihet një marrëveshje mes SBASHK-ut dhe MASHT-it, dhe të dilet nga kjo situatë. Dhe të tilla situata të mos përsëriten sepse po krijohet një imazh i keq i arsimit në sytë e qytetarëve”, përfundoi ai.
Kurse, eksperti tjetër i arsimit Rinor Qehaja tha për Telegrafin, që kushti i vendosur nga SBASHK-u për kompensimin e orëve të humbur tregon se ata kanë qëllim jo të sinqertë.
“Qasja kushtëzuese e zëvendësimit të orëve nga SBASHK dëshmon për qëllimin jo të sinqertë të tyre për zgjidhje të problemit. Nëse SBASHK aludon që zëvendësimi bie ndesh me ligjin për greva atëherë nuk mund që në një moment të ndryshojnë qëndrim duke kushtëzuar me rishikim të koeficientit për paga – kjo bëhet shumë më paradoksale kur SBASHK veç ka dërguar kërkesë në gjykatë për këtë çështje. Nga ana tjetër, të thirrurit në atë që ka vullnet për zëvendësim të orëve, por jo deri sa Ministri të tërheq vendimin prapë ngjason më shumë në një inat sesa në diçka parimore”, ka thënë Qehaja.
Ai, tha që zëvendësimi i orëve të humbura është i domosdoshëm për nxënësit, dhe që diskutimi i kësaj çështje ka ndikuar në proces mësimor dhe ka shqetësuar nxënësit dhe komunitetin e prindërve.
“Zëvendësimi i orëve është i domosdoshëm për nxënësit, mirëpo, stërzgjatja e këtij diskutimi përveç që ka ndikuar në proces mësimor, ka shqetësuar pa drejtësisht nxënësit dhe komunitetin e prindërve. Andaj, MASHT dhe SBASHK duhet të dëshmojnë maturi, dhe nëse nuk ka marrëveshje për zëvendësim, atëherë kjo duhet të bëhet e qartë sa më parë, në mënyrë që edhe planifikimi i orëve të bëhet konform kohës së shkurtër të procesit mësimor. Kjo situatë e krijuar, shpresoj që mbi të gjitha të ngrit vetëdijesimin e të gjitha palëve, në veçanti të prindërve për kërkesë për llogaridhënie për cilësi në shkollimin e fëmijëve të tyre”, ka përfunduar ai deklaratën për Telegrafin.
MASHT dhe SBASHK së bashku me Komisionin për arsim, sot kanë zhvilluar një takim të përbashkët, ku pas takimit ministri i arsimit Shyqyri Bytyqi ka thënë se janë afër zgjidhjes së problemit rreth kompensimit të orëve gjatë grevës./Mirjeta Hajzeraj/Telegrafi/