Telegrafi

Ekskluzive: Zymer Bytyqi largohet nga Olympiacos dhe rikthehet në Superligën e Turqisë

Njëri nga sulmuesit më të mirë kosovarë anësorë do të rikthehet pas gjashtë muajve në Superligën e Turqisë.

Telegrafi mëson ekskluzivisht se pas gjashtë muajve të kaluar në Athinë, Zymer Bytyqi po rikthehet në Turqi, por tani jo te Konyapor.

Nga burimet e mirinformuara, Telegrafi bën të ditur se ylli i Kosovës do t’i bashkohet Antalyasporit në një marrëveshje trevjeçare.

Lexo po ashtu Ekskluzive: Zymer Bytyqi largohet nga Olympiacos, emrat e gjashtë skuadrave që e duan transferimin e tij

Detajet kontraktuale do të bëhen publike në ditët në vijim, atëherë edhe kur pritet që anësori të kompletojë kalimin te klubi turk nga Olympiacosi.

Antalayaspori sezonin e kaluar e mbylli në mesin e tabelës, derisa janë duke e ndërtuar një skuadër me shumë talentë nën urdhrat e legjendës Nuri Sahin.

Bytyqi nuk do të jetë lojtari i vetëm shqiptar atje, pasi aty luan edhe Amar Gërxhaliu, duke i mundësuar një komoditet sa më të madh reprezentuesit të Dardanëve.

Kujtojmë se 26-vjeçari kishte luajtur te Konyaspori për dy vite e gjysmë, për të kaluar më pas te Olympiacos në janar të këtij viti.

Sa ishte pjesë e Superligës së Turqisë, Bytyqi kishte bërë 75 paraqitje, duke shënuar dhjetë gola dhe kishte dhuruar 14 asistime, të përkthyera në 5412 minuta lojë.

Natyrisht se lidhshmëria e madhe me futbollin turk nga hera e parë bëri edhe që Zymeri të rikthehej në ligë, por tani te Antalyaspor. /Telegrafi/