Site icon Telegrafi

Ekskluzive, Valon Berisha tregon nëse do t’i bashkohet Kosovës

Mesfushori kosovar me pasaportë norvegjeze, Valon Berisha ka mbyllur një edicion të suksesshëm në Austri.

Anëtari i Red Bull Salzburg gjatë ndeshjes së mbrëmshme në finalen e Kupës ka triumfuar ndaj Admiras me rezultat 5:0 duke fituar edhe Kupën pasi javë më parë mori edhe titullin e kampionit në Austri.

Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, Valon Berisha ka folur edhe për Kosovën dhe për të ardhmen e tij nëse do t’i bashkohet ose jo Përfaqësueses sonë.

“Është një gjë shumë e mirë që Kosova më në fund është pranuar në UEFA dhe FIFA, ky lajm më ka bërë të lumtur”, deklaroi Berisha, duke qartësuar edhe pozitën e tij nëse do të luaj për Kosovën ose jo.

“Koha më së miri do të tregojë nëse një gjë e tillë do të ndodhë. Por ende nuk është cdo gjë e qartë për ne lojtarët që luajmë në Përfaqësueset tjera nëse do të na lejojë FIFA të luajmë për Kosovën ose jo”, deklaroi Berisha për Telegrafin.

Tutje reprezentuesi i Norvegjisë ka folur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, ku beson se do të bëjë befasi në grupin A në ‘Francë 2016’.

“Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë dhe besoj që do të bëjë befasi të madhe në grupin e saj. I uroj suksese”, deklaroi Berisha.

23-vjeçari ka luajtur 33 takime në Bundesligën austriake ku ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar nëntë asistime. /Telegrafi/

 

Exit mobile version