Ngjarja më e madhe e muzikës në Evropë, “Eurovision Song Contest”, do të startojë sonte (e martë) me natën e saj të parë.
Plot 17 është numri i shteteve që garojnë në natën e parë gjysmëfinale, teksa vetëm 10 prej tyre të cilat do të rezultojnë si më të votuarat nga publiku dhe juria do të kualifikohen për në natën finale, e cila mbahet të shtunën më datë 18 maj.
Gjersa Shqipëria është e qetë sonte, pasi reprezentuesja e saj, Jonida Maliqi, do të këndojë në natën e dytë, një tjetër artisti nga trevat tona do të ngjitet sonte (e martë) në natën e parë gjysmëfinale të “Eurovision”-it.
Fjala është për këngëtarin Riki Feratovic, i cili është pjesë e grupit D-Mol, që përfaqësojnë sivjet Malin e Zi në “Eurovision 2019”, me këngën e tyre “Heaven”.
Në një bisedë ekskluzive për Telegrafin, vetëm pak orë para se të ngjitet në skenën e madhe të “Eurovision”-it, Riki ka rrëfyer emocionet e kësaj gare të madhe, duke treguar nderin që i është besuar për përfaqësimin e Malit të Zi në këtë kompeticion.
“Faleminderit shumë për intervistën. Ne jemi kaq të lumtur që ndodhemi si grup këtu sonte dhe mezi presim që të ngjitemi në skenë, për të bërë atë që duam më së shumti, të performojmë”, ka thënë Riki për Telegrafin.
“Heaven” e cila në shqip përkthehet “Parajsë”, është titulli i këngës përfaqësuese të Malit të Zi këtë vit në “Eurovision”.
Në vazhdimin e bisedës për Telegrafin, këngëtari me prejardhje shqiptare ka treguar domethënien e veçantë të kësaj kënge, që do të interpretohet sot live nga grupi D-Mol.
“Domethënia e kësaj kënge është rënia në dashuri për herë të parë. Besoj se nuk ka gjë më të bukur se t’i këndosh kësaj”, ka thënë Riki, pjesëtar i grupit D-Mol.
Për ata që nuk e njohin, Riki Feratovic është i lindur në Kosovë dhe ka jetuar për vite me radhë në vendlindje, ndërsa tani jeton në Plavë.
Për Telegrafin, ai ka treguar se sa shumë dashuri ndjen akoma për vendin ku u lind dhe kaloi disa vite të mira të jetës së tij.
“Unë jam lindur në Kosovë, përkatësisht Dragash dhe kam jetuar atje për disa vite. Unë gjithnjë kthehem me dashurinë më të madhe në vendlindjen time”, pohoi Riki për Telegrafin.
Duke qenë se prej javësh ndodhet në Tel Aviv të Izraelit, atje ku edhe po zhvillohet edicioni i sivjetmë i “Eurovision”-it, Riki ka pasur rastin që gjatë ditëve të shkuara të takohet edhe me këngëtaren përfaqësuese të Shqipërisë.
Këngëtari me prejardhje nga Kosova thotë se është takuar dhe e ka pëlqyer shumë Jonidën, duke shtuar se do donte që të dy shtetet të ishin bashkë në finale.
“Po, unë e kam takuar Jonida Maliqin dhe ajo është një interpretuese e zonja, e dua shumë atë. Kënga e saj është mistike e pabesueshme. Ne jemi takuar shumë gjatë këtyre ditëve në Tel Aviv”, ka pohuar Riki.
Në përfundimin e bisedës, Riki kërkon mbështetjen e të gjithë shqiptarëve në këtë kompeticion, pasi ajo është më e rëndësishmja për një kualifikim sa më të mirë në natën finale.
“Sigurisht që do të donim shumë të ishim në finale dhe kemi nevojë për votën tuaj, ndaj nëse na shikoni dhe ju pëlqen performanca jonë”, atëherë na mbështesni”, ka thënë Riki në fund të bisedës për Telegrafin.
Kujtojmë që të gjitha shtetet që kanë të drejtë votimi sonte (e martë), në natën e parë gjysmëfinale, janë ato shtete të cilat nuk janë sonte në konkurrim, përfshirë gjashtë shtetet në fuqi që shkojnë direkt në finale, të tilla si: Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Spanja, Gjermania dhe Izraeli.
Ndërkohë, shtetet tjera që performojnë në natën e parë gjysmëfinale të “Eurovision 2019”, përkatësisht sonte, janë si më poshtë:
1. Qipro, Tamta – “Replay”
2. Mali i Zi, D-Mol – “Heaven”
3. Finlanda, Darude feat. Sebastian Rejman – “Look away”
4. Polonia, Tulia – “Fire of Love (Pali się)”
5. Sllovenia, Zala Kralj & Gašper Šantl – “Sebi”
6. Republika Çeke, Lake Malawi – “Friend of a friend”
7. Hungaria, Joci Pápai- “Az én apám”
8. Bjellorusia, ZENA – “Like it”
9. Serbia, Nevena Božović – “Kruna”
10. Belgjika, Eliot Vassamillet – “Wake up”
11. Gjeorgia, Oto Nemsadze – “Sul tsin iare”
12. Australia, Kate Miller-Heidke – “Zero gravity”
13. Islanda, Hatari – “Hatrið mun sigra”
14. Estonia, Victor Crone- “Storm”
15. Portugalia, Conan Osíris – “Telemóveis”
16. Greqia, Katerine Duska – “Better love”
17. San Marino, Serhat- “Say na na na”
Për të votuar performancën e artistit me prejardhje nga Kosova, Rikit, përkatësisht grupi D-Mol, që prezantojnë Malin e Zi me këngën “Heaven”, mund të votoni kodin “02”, nga shtetet përkatëse që kanë të drejtë votimi. /Telegrafi/