Telegrafi

Ekskluzive: Arbnor Muja merr vendimin përfundimtar, do të luajë për Shqipërinë

Arbnor Muja do të jetë futbollisti më i ri i Kombëtares së Shqipërisë.

Sulmuesi kosovar ishte grumbulluar nga Përfaqësuesja e Kosovës në muajin mars për dy ndeshjet ndaj Izraelit në udhëtim dhe Andorrës, por nuk ka luajtur fare.

Ai nuk ishte vlerësuar aspak nga ish-trajneri i Kosovës, Alain Giresse dhe Muja ka marrë vendimin e ri.

Lexo po ashtu Viti i çmendur për Arbnor Mujën, nga futbolli kosovar te fitimi i ‘tripletës’ në Belgjikë: Momenti më i mirë në jetën time, ofertat nga Bundesliga dhe grupet e Ligës së Kampionëve

Telegrafi ka mësuar ekskluzivisht nga burime të afërta me lojtarin se Muja tanimë ka vendosur përfundimisht dhe do ta përfaqësojë Kombëtaren e Shqipërisë.

24-vjeçari aktualisht ndodhet në Tiranë ku ka udhëtuar nga Belgjika për tu pajisur me pasaportën shqiptare.

Anëtari i skuadrës belge Royal Antwerp do të grumbullohet nga trajneri i Shqipërisë, Sylvinho për dy ndeshjet e muajit shtator ndaj Repulikës Çeke dhe ndaj Polonisë.

Ka qenë pikërisht trajneri brazilian i Shqipërisë, Sylvinho që ka insistuar për afrimin e Mujës pasi e sheh si një nga lojtarët shumë të rëndësishëm.

Lexo po ashtu Arbnor Muja shënon super gol në fitoren e thellë të Antwerp

Gjithnjë sipas burimeve të Telegrafit, Shqipëria e kishte kontaktuar Mujën që nga viti i kaluar, por ai fillimisht dëshironte Kosovën.

Gjithsesi, mitrovicasi tanimë ka marrë vendimin dhe në shtator do ta shohim me fanellën e Kombëtares shqiptare. /Telegrafi/