Telegrafi

Ekipi Menaxhues i Asociacionit – pas Presidencës dhe Qeverisë, BE-së i reagon edhe Lëvizja Vetëvendosje

Foto: Arkiv

Një ditë më parë ka reaguar Presidenca dhe Qeveria e Kosovës lidhur me deklaratat e Bashkimit Evropian pas shkarkimit të Ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pasi ditë më parë, Qeveria e Kosovës shkarkoi Ekipin menaxhues reagoi BE duke thënë se lirimi nga detyra i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit është në kundërshtim me marrëveshjen për dialogun.

Pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano të enjten kanë reaguar nga Presidenca dhe Qeveria, ndërkaq sot reagoi edhe shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Lexo po ashtu Stano: Marrëveshjet e dialogut thonë se Ekipi Menaxhues duhet të jetë në funksion derisa të miratohet Statuti i Asociacionit

Ajo theksoi se deklarata e BE-së do të kishte pasur njëfarë besueshmërie nëse do të kishte kritikuar ekipin menaxhues për propozimin e draftit antikushtetues në kundërshtim me parimet e BE-së.

“Kjo deklaratë do të kishte pasur njëfarë besueshmërie, nëse BE-ja do të kishte kritikuar ekipin e MGMT për propozimin e draftit antikushtetues, në kundërshtim me parimet e konfirmuara nga BE. Është e detyrueshme për suksesin e procesit, që BE t’iu qëndroj pas parimeve të saj”, shkruan Kusari-Lila.


Ndërkaq, të enjten Blerim Vela, shef i stafit të Presidentes Vjosa Osmani, pati një qasje më ndryshe ndaj zyrtarit të BE-së, Peter Stano, duke vënë në pikëpyetje gjykimin e tyre ndaj shkeljeve të mundshme që po bën njëra apo tjetra palë në dialog.

“Hej z. Stano”, iu drejtua Vela zëdhënësit të BE-së, “a do të dënoni edhe emërimet e organeve ilegale të përkohshme komunale në Kosovë nga qeveria e Serbisë? Kjo është një shkelje e qartë e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit pasi Serbia duhet të shpërbëjë të gjitha strukturat e saj ilegale në Kosovë.”

“Apo, vetëm do merrni shënim edhe për këtë?”, shtoi Vela, duke marrë shkas deklaratën e Stanos se e kanë shënuar si vërejtje votën kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Po ashtu edhe Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi i është kundërpërgjigjur deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian se Kosova ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kadiu në një postim në Facebook të enjten ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të liruar nga detyra Ekipin Menaxhues që ditë më parë prezantoi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, kishte shkruar Kadiu. /Telegrafi/