Telegrafi

Ekipi i Kosovës me sukses të kënaqshëm në Lojërat Evropiane, mbyll garat në Minsk 2019 me tri medalje të fituara

Ekipi i Kosovës ka mbyllur sot (e shtunë) garat në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, të cilat po mbahen në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Garuesi i fundit që garoi sot ishte karateisti Alvin Karaqi, i cili pavarësisht paraqitjes së mirë, i mungoi fati që të kualifikohet në gjysmëfinale.

Por, Kosova do ta kujtojë garën e Minskut 2019, pasi arriti t’i fitojë tri medalje.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth Xhudos

Në Lojërat e dyta Evropiane, Kosova fitoi një medalje të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë, të tria këto nga sporti i xhudos.

Të artën e fitoi Majlinda Kelmendi, të argjendtën, Nora Gjakova, ndërsa të bronztën, Loriana Kuka.

Majlinda, Loriana dhe Nora ishin fituese të medaljeve (Foto: Kosovo National Olympic Committee/Facebook)

Paraqitje të mirë pati edhe boksieri i ri, Patriot Behrami, i cili hyri në mesin e tetë boksierëve më të mirë nga 32 që morën pjesë në kategorinë deri në 69 kilogramë.

Nesër (e diel) në mbrëmje, ekipi i Kosovës do të defilojë në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Evropiane Minsk 2019. /Telegrafi/