Që në krye të herës, Shqipëria nuk ishte aspak favorite pas hedhjes së shortit, me Anglinë të pallogaritshme dhe Poloninë e Hungarinë që priteshin të duelojnë për vendin e dytë, atë të zonës “play off” në Grupin I.
Mirëpo, në muajin e dytë të ndeshjeve, në këtë situatë ku gjenden ekipet, pikët aktuale dhe vetë forma në ndeshjet e fundit, për më tepër me këtë skuadër dhe këtë potencial që ka sot Shqipëria, ka gjithmonë një shpresë të madhe për të bërë surprizën.
Qoftë edhe në një edicion Botërori, ku formula e çon në kufijtë e së pamundurës të… ëndërrosh. Siç e tha së fundmi edhe presidenti Duka, Polonia mund të jetë ajo që i ndan rrugët mes skuadrave që do të mbeten në garë për objektiva dhe të tjerat që luajnë vetëm për një vend në renditje.
Mirëpo, që Shqipëria të mundë Poloninë, kuqezinjtë duhet të bllokojnë një lojtar fenomenal, një “përbindësh” goli, siç është Levandovski. Sulmues i kalibrit më të lartë në futbollin e dekadës së fundit.
FORMACIONI
Që Kombëtarja të vijojë të ëndërrojë, të jetë sa më gjatë në garën për një vend të rëndësishëm këtë edicion kualifikuesesh, duhet kaluar me sukses prova e së vërtetës në Poloni.
Në sfidën që luan sot me start nga ora 20:45 në Varshavë, në stadiumin “PGE Narodovi”, kuqezinjtë e Rejës duhet të bëjnë ndeshjen perfekte, për të parë në fund nëse do të mjaftojë për rezultat pozitiv. Nga porta në sulm, kuqezinjtë kanë formë të mirë nga skuadrat e tyre.
Minuta, aktivizim, formë e mirë, vlerësime dhe gola nga bomberët e sulmit. E si për ta shfrytëzuar të gjithë këtë, italiani pritet që të kristalizojë zgjedhjet e tij të fundit.
Kapiteni Berisha pritet në portë dhe në vijim skema 3-5-2 plotësohet me Hysajn e Trashin nga krahët që do të mundësojnë rreshtimin me 5 në pra pavijë apo me 5 në mesfushë (3-5-2 apo 5-3-2).
Në qendër të mbrojtjes, Reja ka tashmë “murin” e Serisë A: Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti, që do të mundohen të ndërtojnë grackën për Levandovskin.
Një tjetër garanci për italianin është tashmë treshja e mesit të fushës me Gjasulën para mbrojtjes dhe Baren e Abrashin që duhet të plotësojnë digën mbrojtëse, por edhe të ndërtojnë fazën e parë të kundërsulmeve.
Mundësitë janë të gjitha të vlefshme, me çdo sulmues që meriton formacionin, por duket se edhe për këtë takim, në fushë do të startojnë Cikalleshi e Rei Manaj. /PanoramaSport/