Kombëtarja shqiptare ka nisur këtë të martë grumbullimin për dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e ‘Euro 2020’, atë ndaj Islandës më 8 qershor dhe ndeshjen ndaj Moldavisë më 11 qershor, në “Elbasan Arena”.
Trajneri i kuqezinjve, Edy Reja, ka përpiluar një listë paraprake të të grumbulluarve, me të cilët ka zhvilluar edhe stërvitjen e parë. Kujtojmë këtu që kjo është listë paraprake, pasi lista zyrtare do të shpallet më 27 maj, në orën 11, kur edhe do të dalë në konferencë për shtyp.
Në këtë listë përfshihen 10 futbollistë që sapo kanë përfunduar sezonet e tyre me klubet respektive, mes të cilëve figuron edhe emri i Bruno Telushit të Partizanit.
Këta futbollistë u grumbulluan jo vetëm për të ruajtur gjendjen e tyre fizike, por edhe për t’u vëzhguar nga pranë nga stafi teknik i skuadrës, transmeton Top Channel.
Por, trajneri Reja vendosi që të grumbullojë në këtë fazë paraprake të përgatitjeve edhe 12 lojtarë të skuadrës së U21-shit, që sapo kanë përfunduar sezonin e tyre dhe që janë edhe në listën e trajnerit Alban Bushi për sfidën zyrtare me Turqinë dhe dy miqësoret me Uellsin.