Telegrafi

Edy Reja flet për ndeshjen me Uellsin, zbulon edhe një pjesë të formacionit startues

Në prag të miqësores ndaj Uellsit, e programuar për nesër në mbrëmje, përzgjedhësi i Shqipërisë, Edy Reja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për rëndësinë e takimit.

Tekniku italian vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, veçanërisht në aspektin sulmues dhe zbuloi një pjesë të madhe të formacionit me të cilin do të zbresin në fushë kuqezinjtë nesër në Kardif.

Sa e vështirë do të jetë të përballeni me një skuadër të fortë fizikisht, në fund të një sezoni?

E dimë që nuk do të jetë e lehtë të përballemi me ta, pasi janë shumë të fortë jo vetëm fizikisht, por edhe teknikisht. Nuk e di kush do të luajë, duke qenë se patën edhe një miqësore me Francën të martën, por mendoj se do të bëjnë ndryshime. Gjithsesi ne jemi përgatitur për të bërë më të mirën dhe për t’u përballur denjësisht me ta.

Cilat janë pikat më të forta dhe të dobëta të Uellsit, me lojtarë që luanë kryesisht në Ligën Premier?

Pika e tyre më e fortë është mesfusha dhe sulmi, pasi kanë lojtarë të një niveli shumë të lartë si (Gareth) Bale. Luajnë një futboll shumë të shpejtë dhe do të jetë shumë e vështirë, pasi nuk bëjnë futbollin tipik anglez. Janë shumë të organizuar edhe në prapavijë, megjithatë ky repart është ajo pika e tyre më e dobët le të themi. Gjithsesi duhet të bëjmë kujdes dhe të zbresim shumë shpejt në kundërsulm.

A mund të kemi ndonjë të dhënë rreth formacionit që do të aktivizoni nesër, duke qenë se është vetëm një miqësore?

Pak a shumë e kam vendosur se si do të luajmë ndaj Uellsit. Kam pak dyshime për sulmin, pasi kam 4 lojtarë që janë në formë shumë të mirë dhe nuk kam vendosur akoma. Në mesfushë do të jetë patjetër Abrashi, që mund të luajë me Baren e Çekiçin, që ka bërë shumë mirë në Turqi këtë sezon dhe mendoj se është momenti më i mirë për ta provuar. Në mbrojtje do të jetë treshja klasike me Gjimshitin, Ismajlin e Kumbullën, ndërsa në krah po e mendoj sërish se cilët do të luajnë. Kemi dy ndeshje në pak ditë dhe besoj se do të kenë të gjithë mundësi të luajnë e të tregojnë veten.

A ngjajnë Uellsi e Çekia me Poloninë e Hungarinë, kundërshtarët tanë në eliminatoret e shtatorit?

Janë dy skuadra shumë të forta dhe mendoj se Uellsi ngjan pak me Poloninë, pasi ka një grup lojtarësh shumë të fortë. Megjithatë Uellsi dhe Çekia janë kualifikuar për në Kampionatin Evropian dhe mendoj se duhet të luajmë këto dy ndeshje në mënyrën e duhur për të kolauduar skuadrën tonë. Dua të shoh si do sillemi, për të vlerësuar më pas se ku duhet të përmirësohemi.

A mund të jetë Italia favorite për të triumfuar në Evropian?

Unë mendoj se Italia, Franca dhe Anglia janë skuadrat favorite për të triumfuar, por nuk përjashtohen as surprizat. Gjithsesi Uellsi ka lojtarë shumë të fortë përpara dhe një mbrojtje solide, ndaj mendoj se mund t’i hapë probleme çdo kundërshtari.