Telegrafi

Edy Reja deklarohet pas humbjes që pësoi Shqipëria ndaj Anglisë

Edy Reja është deklaruar pas humbjes që pësoi Shqipëria ndaj Anglisë me rezultat 2-0 në kualifikimet për Botëror.

Trajneri i Kuqezinjve tha pas ndeshjes se ata nuk i konkretizuan rastet që kishin dhe Tre Luanët i ndëshkuan.

“E bazuam ndeshjen te markimi e lojës së tyre, u tërhoqëm në mbrojtje. Ata nuk goditën asnjëherë në portën tonë në pjesën e parë. Shënuan pas një situate që krijuam ne”, ka thënë Reja për Super Sport.

“U treguam të rrezikshëm me Uzunin, duhet t’i bënim 5-6 herë ato dalje, por e vështirë, Anglia nuk të lejon, sepse është e fortë fizikisht”.

“Në planin mbrojtës bëmë një ndeshje të mirë. Diçka më mirë pjesa ofensive në pjesën e parë. Përgjithësisht, ne e bëmë lojën tonë në fazën mbrojtëse. Anglia është një ekip që është i përqendruar gjatë gjithë kohës dhe nuk bën asnjë gabim”.

“Cikalleshi nuk ishte sot në gjendjen e tij më të mirë. Ka raste kur lojtari has vështirësi psiko-fizike, sot nuk ishte lojtari që njohim. Sot hasi vështirësi, edhe prej faktit që kishte lojtarë të mëdhenj përballë. Të gjithë lojtarët treguan edhe gjëra të mira. Në pjesën e dytë e  qarkulluam topin më mirë se në pjesën e parë, kishim më shumë siguri në lojë”.

“Uzuni? Mëkat, na erdhi keq për atë rast. Mund t’i nervozonim nëse do të kalonim në avantazh. Do të ishte një gjë e bukur, do ishte një kënaqësi e madhe dhe do të ishim më të qetë në vijim. Keni koncepte të çuditshme në futboll”.

“Nëse do të kishim fituar apo barazuar ndeshjen, do ishte gjetur përsëri ndonjë aspekt kritik. Duhet vlerësuar forca e kundërshtarit. Nuk është se nuk donim të qarkullonim topin, por përballë Anglisë është e vështirë”.

“Janë të fortë, kanë teknikë, kanë lojtarë të shpejtë, arrijnë t’i mbyllin hapësirat dhe të marrin shpirtin kur përplasesh me to. Nuk na lanë mundësi në pjesën ofensive. Nuk jemi aq të fortë fizikisht sa Anglia. Ne luajtëm sipas planit tonë. Ndryshe do të ishin gjërat nëse nuk do të pësonim gol në pjesën e parë. Në vija të përgjithshme bëmë një ndeshje të mirë”, ka përfunduar strategu i Shqipërisë. /Telegrafi/