Telegrafi

Edy Reja: Bëmë lojë të bukur dhe merituam barazimi ndaj Spanjës, pësuam nga gabimet

(Foto: Screenshot/SuperSport)

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja e ka cilësuar si të evitueshme humbjen ndaj Spanjës në takimin e zhvilluar në Barcelonë që u mbyll me rezultat 2-1.

Reja theksoi se Shqipëria bëri një lojë shumë të bukur, por shtoi se janë disa gabime që gjithmonë e penalizojnë ekipin kombëtar.

Italiani nuk bëri veçime se cili lojtar ishte më mirë dhe cili më dobët, ndërsa u shpreh se miqësorja e sotme tregoi se Shqipëria ka një ekip shumë të mirë.

Lexo po ashtu Uzuni: I lumtur me golin, jam kritikuar shumë dhe kam pasur një periudhë të vështirë

“Do të ishte shumë e bukur nëse do të kishim shkuar në shtëpi me një barazim. Na mbetet një zhgënjim i madh në golin e dytë. Djemtë kanë shpenzuar shumë energji, punuan mirë në pjesën mbrojtëse. Por, gabuan në momentin e golit të parë”, ka thënë fillimisht Reja pas ndeshjes për Supersport.

“Më vjen keq për gabimet që bëjmë dhe që nuk po bëjmë dot atë hapin që të tregojmë që jemi një skuadër e fortë. Kemi gabuar edhe ndaj Polonisë, nuk mund të dhurojmë gjithmonë. Bëmë një lojë të mirë, por na mungojnë detajet e vogla për të bërë hapin e madh”.

“Më vjen shumë keq për djemtë për ato gabime, por janë gjëra që ndodhin dhe duhet t’i rregullojmë. Ekipit do i jap një notë mjaftueshëm, nuk i ndaj, kush mirë e kush keq. Bëmë një paraqitje të mirë për të përballuar Spanjën, nuk mund të them se kemi nota negative, duke ditur se kishim përballë një ekip si Spanja”.

Lexo po ashtu Luis Enrique: E dinim se do të vuanim me Shqipërinë, kanë një futbollist të mirë si Armando Brojën

“Mendoj që skuadra bëri mjaftueshëm, nuk mund të them që kishte reparte apo lojtarë që nuk bën atë që duhet. Nuk ishim shumë të aftë në mbajtjen e topit, që të përballonim Spanjën. Bëmë disa lëvizje të mira dhe patëm disa raste me shumë, me pak fat mund të kishim bërë më shumë”.

“Nuk mund të vë nota dhe nuk dua t’i them asgjë djemve. Nuk duhet të jemi të përqendruar për 90 minuta, por duhet të jemi të përqendruar për 100 minuta”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/