Site icon Telegrafi

Edhe PDK refuzon ftesën e Hotit për takim

Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e kryeministrit, Avdullah Hoti për të marrë pjesë në takimin e liderëve, ku ai do të flasë rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Përveç partive opozitare të tjerat do të marrin pjesë në takimin e liderëve”, deklaroi ai.

Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga zyrtarët e PDK-së, lidhur me takimin mirëpo ata nuk janë lajmëruar.

Lexo po ashtu LVV refuzon sërish ftesën e Hotit për takim

Takimi i kryeministrit Hoti me liderët politikë do të mbahet në ora 12:00. Ndërsa, refuzimin e ftesës së kryeministrit për takim e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se nuk do t’i përgjigjen ftesës së Hotit.

“Po, kemi pranua një ftesë për takim me liderë, të cilës, sikurse e kemi bërë veçse të qartë, nuk do t’i përgjigjemi. Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa legjitimit të ri përmes zgjedhjeve. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, e kjo qeveri, përveç se legjitime dhe jo legale, nuk është as e përgatitur dhe as nuk ka parime për këtë dialog”, theksoi ai.

PDK dhe LVV edhe në muajin qershor kishin refuzuar ftesën e kryeministrit Hoti për takim./Telegrafi/

Exit mobile version