Site icon Telegrafi

Edhe LDK paralajmëron protestë kundër shtrenjtimit të energjisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka deklaruar se do të përdorin të gjithë mekanizmat demokratikë për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Ai u shpreh se në një vend të varfër si Kosova duhet të jesh shumë i paditur për të propozuar rritjen e çmimit të energjisë.

“Gjendja është kaotike, edhe në pjesën sociale, edhe ekonomike, por edhe të shëndetit publik. Pandemia vë në sipërfaqe shumë probleme të caktuara, por këtë e ka rënduar edhe mos përgjegjësia e kësaj qeverie. Rritja enorme e çmimeve bazike në ushqim dhe gjëra të tjera elementare dhe tash tendenca e keqmenaxhimit dhe injorimit të situatave për krizën energjetike ku pasoja e rritjes së çmimeve do t’i bartin ekonomitë familjare, njerëzit e varfër. Duhet të jesh tepër injorant ose i padijshëm që vendit më të varfër në botë edhe në Evropë, të kesh rritje enorme pa ndonjë planifikim të energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Më tej, në një konferencë për media bëri të ditur se do të përdorin të gjithë mekanizmat, përfshirë edhe protestat, për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Do të përdorim të gjithë mekanizmat demokratikë sikur dje, sot, të hënën në seancë të jashtëzakonshme dhe do të konsultohemi me të gjithë, por edhe me qytetarët të cilët preken drejtpërdrejt nga paaftësia e kësaj qeverie. Do të shohim edhe format tjera të parandalimit, siç mund të jetë edhe protesta, një nga format demokratike të saj”, ka deklaruar ai.

Aktualisht, Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar protestë me datën 29 janar, ndërsa një tjetër në rrjete sociale është ftuar për datën 26 janar. Të dyja janë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Exit mobile version