Site icon Telegrafi

BE-ja me qëndrim të njëjtë si NATO, rreth Ushtrisë së Kosovës

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kociancic ashtu si NATO, Bashkimi Evropian vazhdon të ndajë qëndrimin se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe gradual në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në këtë drejtim, përcjell Telegrafi, Kociancic ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë të mbajë detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Parë të arritur në Bruksel në prill të vitit 2013 dhe aranzhimet e saj të sigurisë.

“Kuvendi i Kosovës miratoi sot një legjislacion mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ashtu si NATO, Bashkimi Evropian vazhdon të ndajë qëndrimin se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe gradual në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë të mbajë detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Parë të arritur në Bruksel në prill 2013 dhe aranzhimet e saj të sigurisë”, thuhet në komunikatën e Kociancic.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë thënë sot po transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosura.

Lidhur me këtë, një reagim gati i po të njëjtës linjë ka ardhur edhe nga NATO.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht deputetët kanë miratuar ligjet të cilat bëjnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

“Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Megjithatë, ai ka thënë se NATO mbetet e angazhuar përmes KFOR-it për një mjedis të sigurt dhe të sigurt në Kosovë dhe për stabilitetin në Ballkanin më të gjerë Perëndimor. /Telegrafi/

Exit mobile version