Telegrafi

Eden Hazard mbërriti te Real Madridi me shtatë kilogramë më tepër

Eden Hazard në këtë verë u transferua te Real Madridi për 100 milionë euro, por kjo shumë mund të shkojë në 130 milionë euro, varësisht suksesit që tregon belgu.

Sulmuesi 29-vjeçar u largua nga Chelsea me një formë tejet të lartë, duke shënuar 16 gola dhe kishte bërë 15 asistime në Ligën Premier.

Ylli belg e kishte kërkuar për disa vite kalimin te Los Blancos, derisa në këtë verë e realizoi ëndrrën e tij që të kalojë në Santiago Bernabeu.

Por, gjërat nuk kanë shkuar mirë për Hazardin në këtë verë, pasi në pushime siç duket e ka tepruar me ushqim.

Në momentin kur belgu hyri në fushën e Real Madridit për t’u prezantuar para tifozëve, vërehej qartë se kishte shtuar peshë.

Daily Mirror tani raporton se Hazard ka shtuar shtatë kilogramë më shumë se sa që i kishte kur e përfundoi sezonin te skuadra londineze.

Lojtari 29-vjeçar debutoi në humbjen 3-1 të Los Blancos ndaj Bayern Munichut, por që nuk pati ndonjë paraqitje për t’u vlerësuar.

Hazard vazhdoi me paraqitje mesatares dhe në fitoren e madrilenëve pas penalltive ndaj Arsenalit, ndërsa në humbje 7-3 ndaj Atletico Madridit nuk ishte dukur fare.

Është herët të thuhet nëse belgu ka dështuar te Real Madridi, mirëpo ende nuk ka shënuar gol apo të dhurojë asistim në tri përballjet që ka zhvilluar. /Telegrafi/