Marrja e raketave balistike amerikane ATACMS me rreze veprimi prej 300 kilometra do të thotë se Ukraina tani mund të godasë çdo objektiv në Krimenë e pushtuar nga Rusia me forcë vdekjeprurëse, shkruan The Economist.
Presidenti i SHBA, Joe Biden, duhet ende të heqë ndalimin e tij për të goditur objektiva diku tjetër në Rusi. Çfarë mund të kishte arritur Ukraina nëse nuk do t’i duhej më të luftonte me dorën e lidhur pas shpine, dëshmohet nga efektiviteti i fushatës së saj në Krime, transmeton Telegrafi.
Sipas Ben Hodges, ish-komandant i forcave amerikane në Evropë dhe një këshilltar i lartë i NATO-s për logjistikën, ukrainasit janë “në mënyrë sistematike në procesin e bërjes së Ukrainës të pabanueshme për forcat ruse”.
The Economist thekson se lideri i Kremlinit Vladimir Putin ka investuar shuma të mëdha parash në infrastrukturën ushtarake në Krime dhe tani ajo është nën kërcënim.
Strategu i Mbretërisë së Bashkuar, profesor Sir Lawrence Freedman thotë se Krimea është një pikë e dobët për Rusinë – ajo ka shumë për të mbrojtur atje, kështu që kjo është “mënyra më e mirë që Ukraina të ushtrojë presion real mbi Putinin në mënyrë që të nxjerrë lëshime në të ardhmen”.
Nico Lange, ish-këshilltar i ministrisë gjermane të Mbrojtjes, pajtohet me mendimet e Freedman, duke theksuar se Krimea është “aseti më jetik i Rusisë, por është gjithashtu shumë i cenueshëm”.
The Economist thekson se Ukraina po përpiqet ta bëjë Krimenë një detyrim për Putinin, jo një pasuri. Qëllimi është izolimi i gadishullit, “mbytja” e tij si një qendër logjistike, dhe kështu largimi i forcave ajrore dhe detare ruse nga jugu i Ukrainës.
Ukraina ka demonstruar tashmë aftësinë e raketave franko-britanike Storm Shadow/SCALP, si dhe të dronëve të saj detar, për të shënjestruar anijet luftarake ruse, në veçanti anijet e mëdha Ropucha, të cilat përdoren si anije transporti ushtarak dhe shumica e të cilave janë shkatërruar. /Telegrafi/