Inter Miami ia ka ndërprerë kontratën portierit Nick Marsman, disa javë pasi e kishte vënë në dyshim vendimin e klubit për transferimin e Lionel Messit.
Në muajin qershor, holandezi kishte ngritur shqetësime për infrastrukturën e klubit nëse ishte në nivelin e duhur për të mirëpritur një lojtar të klasit të superyllit argjentinas.
“Personalisht mendoj se ky klub nuk është i gatshëm për ardhjen e Messit. Kemi një stadium të përkohshëm, njerëzit mund thjesht të hynë në fushë, nuk ka dyer. Po ashtu, largohemi nga stadiumi pa sigurim. Nuk mendoj se jemi gati. Por, shpresoj që ai të vijë”, kishte thënë asokohe për ESPN.
Nuk ka zgjatur shumë dhe Inter Miami ka vendosur t’ia ndërpresë kontratën 32-vjeçarit, i cili iu bashkua klubit nga MLS në vitin 2021 dhe ka bërë 29 paraqitje.
Në anën tjetër, Messi ka lënë shenjë që në arritjen e tij në Amerikë duke shënuar shtatë gola në katër paraqitje. /Telegrafi/