Site icon Telegrafi

E rrallë: Një gazelë “me gjashtë këmbë” shihet në Izrael

Një gazelë e rrallë malore “me gjashtë këmbë” është parë së fundmi në Izrael.

Gazela ka edhe një palë këmbë që i rriten në shpinë, por ekspertët e jetës së egër thonë se ajo po ia del mbanë edhe me ato këmbë shtesë.

Ky zbulim i rrallë është bërë nga një rezervist i ushtrisë izraelite, i cili pasi i vuri re dicka të çuditshme në shpinë gazelës, dërgoi një foto të krijesës te Shoqëria për Mbrojtjen e Natyrës në Izrael (SPNI).

Bëhet e ditur se gazela është përballur me shumë grabitqarë që ia kanë rrezikuar jetën, por ia ka dalë të jetojë në rezervatin Nahal HaBasor, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Rezervati ndodhet në shkretëtirën jugore të Negevit në Izrael, në afërsi të Gazës së shkatërruar nga lufta.

SPNI e quajti atë si “një nga bastionet më të rëndësishme të mbetura për gazelën izraelite, veçanërisht gjatë luftës së fundit”.

“Ndryshe nga pritshmëritë, gazela është e shëndetshme dhe e fortë. Këmbët shtesë në shpinë nuk përbëjnë asnjë sfidë për të”, tha Amir Balaban nga SPNI.

Këmbët shtesë të gazelës i atribuohen një çrregullimi të rrallë gjenetik të quajtur proliferimi i organeve ose polimelia. Madje, thuhet se anomalia e kafshës ka të ngjarë të jetë e trashëguar.

Polimelia shfaqet shpesh te bagëtitë, zogjtë dhe zvarranikët, por ky është rasti i parë i njohur që shfaqet në një gazelë malore në Lindjen e Mesme.

Ndryshe, gazelat malore janë një specie e egër e mbrojtur në Izrael ku vlerësohet të ketë vetëm rreth 5,000 të tilla që kanë mbetur në natyrë.

Ndërsa kjo lloj kafshe gjendet kryesisht në Izrael, ajo jeton në të gjithë rajonin dhe gjithashtu mund të dallohet edhe në territoret palestineze, Turqi dhe pjesë të Sirisë, Jordanisë dhe Libanit. /Telegrafi/

Exit mobile version