Arrera Automobili më në fund ka zbuluar enterierin e veturës së parë shqiptare, Illyrian TSX me disa imazhe të publikuara në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.
Illyrian TSX e cila hyn në kategorinë e hiper-makinave, u prezantua një javë më parë në ekspozitën e TREDITECH në Torino të Italisë, transmeton Telegrafi.
Tani më në fund u zbulua edhe brendësia e veturës së projektuar nga sipërmarrësi shqiptar, Qëndrim Thaçi.
Duke qenë se vetë Illyrian TSX hyn në variantin e hiper-makinave, nuk është për t’u habitur që sediljet janë të dizajnuara për t’u “ngjasuar makinave të garave”.
Hiper-makina ka dy ekrane në pjesën e përparme, derisa në pjesën mbrapa të pasagjerëve kemi vërejtur së paku një ekran.
Ajo që bie në sy më së shumti është timoni i kësaj veture, i cili është i stilit gjysmë-yoke, një timon të cilin e kemi parë në modelet e Tesla-s.
Natyrisht edhe “logoja krenare” që simbolizon shqiponjën e flamurit të Shqipërisë.
Qëndrim Thaçi, projektuesi dhe njëherësh CEO i Arrera Automobili ka deklaruar se automjeti është i projektuar me fibra karboni, që shpjegon edhe njëherësh peshën e lehtë të hiper-makinës e cila do të kushtojë deri 1.7 milion dollarë.
Dy prej klientëve të parë të Illyrian TSX janë shqiptarë të cilët jetojnë në diasporë. /Telegrafi/