Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, gjithmonë ka treguar dashurinë ndaj vendit nga ajo vjen. Edhe në këtë kohë të pandemisë coronavirus, ajo ka vendosur që përmes një interviste të lidhet virtualisht me fansat e saj të shumtë.
Ylli botëror i muzikës do ta intervistojë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një lidhje të drejtpërdrejtë, ndërkohë që ka kërkuar nga fansat që t’i bëjnë pyetjet e tyre dhe pastaj ajo do t’ia bëjë kreut të kryeqytetit. Pjese e programit do të jetë edhe babai i saj, Dukagjin Lipa.
Në një postim në rrjetin social Instagram, Dua ka konfirmuar se ditën e diel (3 maj) do të ketë mundësinë të intervistojë kryetarin përmes pyetjeve të dërguara.
“Dëshiroj ta falënderoj shumë kryetarin e qytetit tonë, Prishtinës, Shpend Ahmeti, për punën e pandalshme dhe kujdesin ndaj qytetarëve në luftën kundër COVID-19”.
“Ka qenë tejet mbresëlënëse për ta parë bashkëpunimin e madh të komunës dhe qytetarëve, dhe masat të cilat secili prej jush i keni ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së virusit”.
“Të dielën (nesër/3 maj) do ta intervistojmë kryetarin me pyetjet e juaja. Pyete kryetarin, duke dërguar pyetjet në info@republika.tv, ndërsa unë do t’ia përcjell ato gjatë intervistës që do ta kemi bashkë, këtë të diel në orën 21:00.
“Ju dua shumë. Kujdesuni për veten dhe njëri-tjetrin. Shihemi të dielën mbrëma”, ka shkruar Dua në një postim në anglisht dhe në shqip. /Telegrafi/