Respekt për politikat e miqësisë dhe mbështetje për proceset reformuese dhe perspektivat euroatlantike të Maqedonisë shprehën ministrat e punëve të jashtme të Suedisë dhe të Finlandës, Margot Vallstrom dhe Timo Soini gjatë takimit të sotëm me kryeministrin Zoran Zaev.
Në takim morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, të Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska dhe të Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“E ardhmja e Republikës së Maqedonisë është në Bashkimin Evropian, i inkurajojmë dhe i mbështesim reformat e Qeverisë që çojnë drejt eurointegrimeve të vendit”, është porosia që e transmetuan ministrat nga Suedia dhe Finlanda.
Vallstrom dhe Soini, siç njoftojnë nga qeveria, shprehën respekt për politikat e miqësisë që po i zhvillon kryeministri Zaev dhe Qeveria dhe përmes të cilave i zgjidhin çështjet me interes për të gjithë qytetarët dhe për shtetin.
Zaev deklaroi se Qeveria përmes politikave inkluzive në vend dhe marrëdhënieve të mira miqësore me fqinjët po i hap perspektivat euroatlantike, sepse qëllim strategjik i Maqedonisë është anëtarësimi në BE dhe në NATO, që për vendin do të thotë stabilitet dhe siguri, por edhe interesim më i madh për të investuar në Maqedoni dhe zhvillim të ekonomisë.
Në takim është konkluduar se perspektivat euroatlantike do të thonë për Republikën e Maqedonisë dhe për tërë rajonin përparim në planin ekonomik, zhvillim social dhe të ardhme të qetë, që do t’i motivojë të rinjtë ta shohin dhe planifikojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.
Është konstatuar gjithashtu se të ardhme të mirë për të gjithë sjell koncepti i Qeverisë për ndërtim të Maqedonisë në një shoqëri për të gjithë./Telegrafi/