Analisti Preç Zogaj ishte i ftuar në Euronews Albania ku komentoi rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe situatën në Partinë Demokratike. Për sa i përket bashkimit të PD-së, Zogaj u shpreh skeptik dhe tha se një gjë të tillë e sheh si të pamundur.
Ai nënvizoi se bashkimi i PD-së mund të ndodhë vetëm në rastin kur krerët që e përfaqësojnë atë, të lenë egot dhe interesat personale dhe të bashkohen për interesin e demokratëve dhe të rrotacionit.
“Partia Demokratike mund të dalë sërish si një alternativë e bashkuar nëse krerët që e përfaqësojnë atë, vënë interesat e demokratëve, interest e rrotacionit dhe të demokracisë mbi egon e tyre, mbi interesat e tyre, mbi çështjet e tyre personale. Në momentin kur ky raport është në kahun e kundërt atëherë mund të ndodhë bashkimi. Është një vijë ndarëvse në PD e vendosur me kohë që u theksua dhe me vota. Edhe zgjedhjet fotografojnë një vijë ndarëse. Është një vijë ndarëse në raport të marrëdhënieve me Perëndimin”, tha Zogaj.
Zogaj shtoi se mendimi i tij është që partitë e opozitës të rriten në habitatin e tyre dhe të bashkohen përpara zgjedhjeve në koalicion për të mundur maxhorancën qeverisëse.
“Partitë e opozitës të bëjnë përpjekje që të rriten secila me atë habitatin e tyre ku janë. PD zyrtare me këta mbështetësit e vetë, 100 e ca mijë vota që doli në 14 maj, si dhe shumë të tjerë që nuk kanë dalë, po ashtu opozitat e tjera të bëjnë përpjekje të konsolidojnë mbështetjen e tyre dhe me afrimin e zgjedhjeve të ulen për një marrëveshje elektorale si opozitë plurale. Unë opozitë unike nuk shoh për momentin”, tha Zogaj. /Telegrafi/