Conor McGregor e bëri rikthimin e shumëpritur në tetëkëndëshin e UFC-së, mirëpo asgjë nuk shkoi siç kishte planifikuar, sepse u mposht nga Khabib Nurmagomedov në duelin Las Vegasit.
Irlandezi u kthye pas mungesës afro dyvjeçare, mirëpo u nënshtrua nga kundërshtari i tij, i cili me një kapje për fyti e detyroi ta dorëzojë meçin në raundin e katërt.
Rezultati nxiti skena kaotike, pasi ylli nga Dagestani doli nga tetëkëndëshi për t’u përleshur me anëtarët e stafit të McGregorit, derisa edhe ky i fundit u përlesh me pjesëtarët e ekipit të Khabibit.
Incidentet pritet t’u kushtojnë të dy yjeve të arteve të përziera marciale, pasi do të dënohen, ndërsa dënimi maksimal që mund t’i jepet Nurmagomedovit është marrja e titullit.
Përkundër humbjes dhe natyrës së saj, McGregor vazhdon të jetë ylli kryesor i UFC-së dhe ka para vetes disa opsione.
Prandaj më poshtë jua sjellim veprimet që mund të ndërmarrë 30-vjeçari në të ardhmen sa i përket karrierës së tij.
Khabib Nurmagomedov
Ajo që ndodhi në Las Vegas është një mundësi e mirë për përfitime marramendëse të yjeve të UFC-së nëse vendosin për një rimeç.
McGregor tashmë është shprehur i gatshëm që të ndeshet sërish me kampionin në fuqi në kategorinë e peshave të lehta.
Mirëpo, ai duhet të matet mirë para se të hyjë sërish në tetëkëndësh me yllin e pamposhtur të arteve të përziera marciale.
Tony Ferguson
Nëse McGregor dëshiron të vazhdoj të ndeshet në UFC, atëherë dueli ndaj Tony Ferguson do të ishte vendimi më logjik i mundshëm.
Dy yjet e arteve të përziera marciale kanë papëlqyeshmëri të madhe ndaj njëri-tjetrit, ndërsa Ferguson qe një kohë të gjatë ka kërkuar një duel me yllin nga Dublini.
Tony renditet i dyti në kategorinë e peshave të lehta në UFC, prandaj nuk është kundërshtar aspak i lehtë. Ndërsa nëse arrin fitore ndaj tij, McGregor e fiton të drejtën për një tjetër duel me Khabibin.
Floyd Mayweather
Conor fitoi mbi 100 milionë dollarë në vitin e kaluar kur u ndesh në ring (me rregulla të boksit) kundër kampionit të pamposhtur, Floyd Mayweather.
Meçi u ndërpre në raundin e tetë, mirëpo paraqitja e tij në boks u vlerësua shumë duke i befasuar edhe kritikët më të mëdhenj.
Boksieri amerikan, i cili ka rekord 50-0, është pensionuar sërish, mirëpo mund të rikthehet në rast të një organizimi shumëmilionësh.
Mayweather dëshiron ta provojë veten në artet e përziera marciale, ashtu që një rimeç me McGregor mund të jetë me rregullat e UFC-së.
Sidoqoftë, së fundmi është raportuar se ai mund t’ia ofrojë një shans të dytë Manny Pacquiaos.
Anderson Silva
Para duelit ndaj Nurmagomedov, McGregor ishte pyetur për kundërshtarin e radhës, ndërsa një emër befasues në listë ishte ai i ndoshta luftëtarit më të mirë në histori të UFC-së.
Braziliani Anderson Silva ka dominuar në kategorinë e peshave të mesme gjatë viteve 2006 – 2013, ndërsa në një periudhë kishte regjistruar 16 fitore radhazi.
Mirëpo, ditët më të mira të 43-vjeçarit tashmë i takojnë të kaluarës, duke qenë se në gjashtë duelet e fundit ka regjistruar katër humbje.
Dallimi në peshë mes Silvas dhe McGregorit mund t’ua prishë planet për një duel në të ardhmen.
Pensionimi
Diçka që vështirë mund të ndodhë, megjithatë duhet përmendur si një nga opsionet në listën e Conorit.
Ai tashmë e ka siguruar jetën e tij financiarisht falë përfitimeve të mëdha nga meçi kundër Mayweather, por edhe nga dueli i fundit kundër Nurmagomedov.
Pse ta rrezikojë shëndetin e tij në këtë sport të dhunshëm që mund t’i shkaktojë dëmtime të pariparueshme?
Përgjigja e kësaj pyetje është se McGregor, përveç se është ylli më i popullarizuar dhe më fitimprurës i UFC-së, ai e do shumë këtë sport. /Telegrafi/