Telegrafi

Dzeko i lumtur me fitoren ndaj Milanit: Paraqitje e madhe, nuk dua të flas për kontratën tani

Edin Dzeko njëri nga shtyllat kryesore të Interit në fitoren ndaj Milanit në finalen e Superkupës së Italisë duke shënuar golin e dytë në triumfin prej 3-0.

“Nerazzurrët” dominuan ndeshjen në Riad të Arabisë Saudite me dy gola të hershëm nga Federico Dimarco dhe Edin Dzeko, ndërsa më pas Lautaro Martinez shënoi të tretin për të shuar shpresat e Milanit.

“Ne padyshim bëmë një paraqitje të shkëlqyer, djemtë ishin të shkëlqyer nga minuta e parë deri në minutën e fundit. Ne vërtet dhamë gjithçka që kishim”.

“Nuk kishte nevojë për hakmarrje, unë dhe skuadra gjithmonë shikojmë përpara. Kjo ishte një Kupë që e fituam edhe sezonin e kaluar. Ne e dimë se sa e mrekullueshme është ta fitosh atë, ne dolëm duke luftuar sot që nga fillimi”.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Jam shumë i lumtur që po marrim një tjetër trofe në shtëpi dhe shpresoj se do të ketë më shumë në të ardhmen”, deklaroi Dzeko.

Lexo po ashtu Pioli pas humbjes ndaj Interit: Dhemb shumë, bëmë shumë gabime

Tutje sulmuesi boshnjak që do të festojë ditëlindjen e tij të 37-të në mars, nuk ka dashur të flasë për kontratën e cila do t’i skadojë në qershor.

“Do të bëhem 22 vjeç së shpejti (qesh). Ne jemi të lumtur për tifozët dhe për ne, siç e merituam sonte. Le të festojmë sonte dhe pastaj mund të mendojmë për pjesën tjetër”, përfundoi ai. /Telegrafi/