Telegrafi

U kërkua në disa lokacione por nuk u gjet – I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë, ende në arrati

Sokol Halili nga Shtimja, i cili dyshohet se kreu vrasjen e ish-gruas së tij shtatzënë, H.M, mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ende nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se njësitë policore kanë kërkuar në disa lokacione, por deri tani nuk kanë hasur në të dyshuarin.

“Prishtinë 30.11.2022 – 18:00. Është raportuar se viktima femër kosovare para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është qëlluar me armë zjarri nga një peron i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raport të policisë.

Ndryshe, Sokoli Halili dyshohet se vrau ish-gruan e tij shtatzënë, e cila ishte në ditët e fundit të lindjes. 35-vjeçarja me inicialet H.M nga Lipjani u vra para Klinikës së Gjinekologjisë.

I dyshuari për këtë vrasje makabre është Sokol Halili nga Shtimja.

Familjarët e të ndjerës kanë treguar se viktima dhe dorasi kanë qenë të ndarë që pesë muaj.

Motra e viktimës tha se autoritetet kanë qenë të njoftuara për procesin e divorcit të 35-vjeçares dhe problemet me ish-bashkëshortin. /Telegrafi/