Telegrafi

I dyshuar për 27 vepra penale, arrestohet 22 vjeçari në Prishtinë – mashtroi taksistët

Një person është arrestuar të mërkurën mbrëma në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.

Në raportin 24 orësh të policisë u bë e ditur se i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “mashtrim” dhe “vjedhje e shërbimeve”.

E në një njoftim tjetër policia ka dhënë detaje të reja. I arrestuari është një 22 vjeçar i cili dyshohet për plot 27 vepra penale që lidhen me mashtrime dhe shpërdorim të pasurisë së huaj.

“Hetuesit nga Sektori i Hetimeve të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, respektivisht hetuesit e stacionit Veriu, mbrëmë kanë arrestuar një person të dyshuar për 27 vepra penale (mashtrime dhe shpërdorime të pasurisë së huaj)

Puna disa mujore e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar: D.M, mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se i arrestuari dyshohet të ketë marrë nga ankuesit (numri më i madh i ankuesve janë taksistë), shuma të ndryshme të parave, duke i mashtruar gjatë kryerjes së pagesave për shërbime dhe blerje. /Telegrafi/