Site icon Telegrafi

Dyshohet se vodhën katër bateri akumuluese nga antena e Telekomit të Kosovës, arrestohen dy persona në Shtime

Foto: Ilustrim

Dy persona janë arrestuar pasi në veturën e tyre i janë gjetur katër bateri akumuluese elektrike të cilat dyshohet se ishin vjedhur nga antena e Telekomit të Kosovës, në Shtime.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se të dyshuarit po ashtu kishin dëmtuar alarmin dhe kapakun e baterive të antenës.

“Më datën 07.05.2024 rreth orës 19:38 policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informacion se në fshatin Godanc i Epërm të Shtimes, në objektin e antenës së Telekomit të Kosovës është duke u kryer një vjedhje.

Patrullat e policisë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe me të arritur në vendin e ngjarjes kanë hasur në një veturë Ford Focus me targa vendore dhe dy persona të dyshuar. Gjatë legjitimimit dhe kontrollimit të tyre dhe veturës, në bagazhin e veturës janë gjetur katër bateri akumuluese elektrike, të cilat dyshohet se ishin vjedhur nga antena e Telekomit të Kosovës, ndërsa kishin dëmtuar alarmin dhe ( kapakun e baterive ) të antenës. Të dy personat janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se të arrestuarit janë me inicialet M.M ( M/K), i moshës 44 vjeçar dhe M.P  (F/K), e moshës 43 vjeçare.

“Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit policorë me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj  janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version