Telegrafi

Dyshohet se pjesëmarrësit janë lënduar rëndë gjatë xhirimeve të versionit real të lojës “Squid Game”, Netflix mohon akuzat

Tre persona morën trajtim mjekësor gjatë xhirimeve për një shfaqje të vërtetë “Squid Game”, ka konfirmuar Netflix, por gjigandi i transmetimit mohoi që dikush të ketë pësuar “lëndim serioz”.

Netflix njoftoi vitin e kaluar se po lansonte “Squid Game: The Challenge” si një seri konkursi bazuar në dramën e tij të suksesshme – një serial imagjinar koreano-jugor në të cilin garuesit konkurrojnë në një seri lojërash vdekjeprurëse në këmbim të një çmimi gjigant.

Seriali prej 10 episodesh po xhirohet aktualisht në Britaninë e Madhe, por Netflix nuk ka publikuar asnjë detaj të mëtejshëm të prodhimit, shkruan CNN.

Deklarata e së enjtes për CNN, dërguar nga Netflix së bashku me kompanitë e bashkëprodhimit ‘Studio Lambert’ dhe ‘The Garden’, erdhi pas raportimeve në shtypin britanik për kushtet e “zonës së luftës” në xhirime pasi temperaturat ranë nën zero.

Lexo po ashtu "Squid Game" po kthehet në realitet, qindra njerëz në Angli do të sfidohen me lojërat famëkeqe të serialit

Netflix tha: “Ne kujdesemi thellësisht për shëndetin dhe sigurinë e kastit dhe ekipit tonë dhe investuam në të gjitha procedurat e duhura të sigurisë. Ndërsa ishte shumë ftohtë në setin e xhirimeve – dhe pjesëmarrësit ishin të përgatitur për këtë – çdo pretendim për lëndim të rëndë është i pavërtetë”.

Shërbimi i transmetimit tha se tre persona u trajtuan për kushte të lehta mjekësore dhe mjekët ishin në set të xhirimeve gjatë gjithë kohës.

Përndryshe seriali origjinal u bë shfaqja më e popullarizuar e Netflix e të gjitha kohërave në publikimin e saj në fund të vitit 2021.

Lexo po ashtu Aktori që luajti plakun në "Squid Game", O Yeong-su akuzohet për ngacmim seksual

Edhe pse drama u krijua nga regjisori koreano-jugor Hwang Dong-hyuk dhe kryesisht luajtën aktorë koreanë që flisnin gjuhën koreane gjatë gjithë kohës, krijuesit e spektaklit “Squid Game: The Challenge” thanë se po kërkonin “folës të gjuhës angleze nga çdo pjesë e botës”.

Platforma njoftoi kastin për serialin e ri në qershor në një promo të paqartë me paraqitje nga kukulla “Red Light, Green Light” dhe një mori rojesh të maskuar.

“Squid Game: The Challenge” do të ofrojë çmimin më të madh në para në historinë e një spektakli televiziv – 4.56 milionë dollarë – për një nga 456 konkurrentët e tij, tha transmetuesi në atë kohë.

Brandon Riegg, nënkryetar i Netflix i serialeve dhe dokumentarëve, tha në një deklaratë në qershor: “Fansat e serialit dramatik janë në një udhëtim magjepsës dhe të paparashikueshëm, ndërsa 456 konkurrentët tanë të botës reale lundrojnë në serialet më të mëdha të konkurrencës ndonjëherë, plot tension dhe kthesa, me çmimin më të madh të parave në fund”.

Ndërkohë, është konfirmuar edhe sezoni i dytë i seriaqlit “Squid Game” dhe ende nuk është njoftuar data e publikimit. /Telegrafi/